​Hoti: Raporti i Bankës Botërore demanton propagandën e VV-së

Ish-kryeministri i Kosovës nga radhët e Lëvizjes Demokratike të Kosovës (LDK) Avdullah Hoti ka përmendur raportin e Bankës Botërore, i cili sipas tij, demanton Lëvizjen Vetëvendosje në pushtet për zhvillim ekonomik në vend.

Ai në një postim në Facebook ka përmendur disa raste nga raporti që demantojnë të dhënat e Qeverisë Kurti.

“Popullsia në moshë punë është zvogëluar për shkak të migrimit. Rritja e mëtejmë e migrimit do të zvogëlojë më tutje ofertën e punës dhe do të rrisë kostot e punës për biznese. Ndërkaq, pushteti thotë se më shumë njerëz po kthehen në Kosovë se që po largohen.

Produkti i Brendshëm Bruto i Kosovës u rrit me 3.1 për qind në 2023 si rezultat i rënies së çmimit të mallrave në tregjet ndërkombëtare, dërgesave nga diaspora dhe rritjes së kreditimit nga banka. Pra, qeveria nuk ka kontribut në këtë rritje që sido që të jetë është shumë e ulët për të siguruar konvergjencë në zhvillim e të ardhura mes Kosovës dhe mesatares së BE-së.

Më shumë se gjysma e investimeve të jashtme janë në ndërtimtari. Kjo nuk kontribuon në rritjen e bazës prodhuese në vend.

Rritja e statistikave zyrtare të punësimit ka qenë kryesisht rezultat i uljes së informalitetit, e jo i krijimit të vendeve të reja të punës.

Ka edhe shumë çështje të tjera, për të cilat do të flas në ditët në vijim”.

Back to top button