Hoti: Raporti i Muratit vërteton që s’janë paguar dëmet e vërshimeve as në 2022 as në 2023

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se sipas raportimit të Ministrit të Financave, është vërtetuar se asnjë cent s’është paguar për dëmet e shkaktuara nga vërshimet më 27 janar të këtij viti.

Hoti ka thënë se s’janë paguar as dëmet e vitit 2022.

Ai ka thënë se Kuvendi i Kosovës në mars të vitit 2023 ka ratifikuar marrëveshjen me Bankën Botërore ku një pjesë e mjeteve janë paraparë për kompensim të dëmeve.

“Në raportimin e Ministrit të Financave, u vërtetua se asnjë cent nuk është paguar për dëmet nga vërshimet e ndodhura më 27 janar 2023, dëme në vlerë prej 23.5 mil euro, ku janë dëmtuar 1,253 familje/shtëpi, 214 biznese dhe 582 ekonomi bujqësore. Nuk janë paguar as dëmet e vitit 2022, në shumë prej 7.2 mil euro. Për dijeni, Kuvendi i Kosovës në mars 2023 e ka ratifikuar një marrëveshje ndërkombëtare me Bankën Botërore, ku një pjesë e mjeteve janë paraparë për kompenzim të dëmeve”, ka shkruar Hoti në “Facebook”./21Media

Back to top button