Hoti: Serbia pranoi deklaratën për personat e zhdukur me dhunë, detyrohet t’i hapë arkivat

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti tha se Serbia pranoi deklaratën për personat e zhdukur.

Sipas Hotit përmes kësaj deklarate, Serbia do të detyrohet t’i hapë arkivat dhe prezantimin e dokumenteve sekrete për vendndodhjen e personave të zhdukur me dhunë.

“Për herë të parë pas shumë sfidave dhe pas 24 vitesh arritëm ta imponojmë adresimin e drejtë të përgjegjësisë për të zhdukurit, si viktima të luftës që kërkojnë zgjidhje dhe drejtësi në bazë të konventave ndërkombëtare. Prandaj më nuk do të ketë vetëm persona të zhdukur, por persona të zhdukur me dhunë nga shteti serb. Gjithashtu, më duhet të theksoj si tepër të rëndësishme, që me anë të kësaj deklarate Serbia detyrohet të marrë përsipër hapjen e arkivave dhe prezantimin e dokumenteve sekrete mbi vendndodhjen e personave të zhdukur me dhunë.” , shkroi Hoti në Facebook.

Ai u zotua se do të bëhet edhe shumë punë për arritjen për ndriçimin e fatit të të pagjeturve dhe për këtë kërkoi ndihmën e SHBA-së dhe BE-së.

“Sapo të pranohet deklarata nga niveli i lartë, do ti publikojmë edhe hapat e ardhshëm të nevojshëm për zbatimin e kësaj deklarate. Pavarësisht që me duhet të them që për mua si familjar, ky është vetëm hapi i parë në adresimin politik të çështjes së personave të zhdukur me dhunë, dhe rëndësia e kësaj deklarate arrihet në momentin e respektimit dhe zbatimit të plote të saj, për çka presim përkrahjen e fuqishme dhe të nevojshme nga miqtë tanë ndërkombëtar, SHBA e BE. Mbetet edhe shumë pune dhe përpjekje për tu bërë që të arrijmë në qëllimin tonë kryesor: Zbardhjen e fatit të personit të fundit të zhdukur me dhunë në Kosovë.”, përfundoi Hoti.21Media

Back to top button