Hoti: Thellimi i krizës, pasojë e mungesës së masave adekuate nga Qeveria

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK),  Avdullah Hoti ka publikuar disa statistika nga Agjencia e Statistikave të Kosovës nëpërmjet të cilave, sipas tij, tregohen vështirësitë me të cilat përballen familjet kosovare si shkak i inflacionit.

Hoti ka thënë se krizën e ka thelluar mungesa e masave adekuate për të zbutur pasojat e inflacionit.

“Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës: 43.4% e familjeve nuk mund të përballojnë një shpenzim të papritur prej 100 eurove nga burimet e tyre vetjake, 49.2% e familjeve nuk mund të mbulojnë shpenzimet e një shujte çdo dy ditë që përfshinë mishin, pulën dhe peshkun, 48.8% e familjeve kanë deklaruar se pagesa e borxheve është barrë e rëndë financiare, 8.1% e familjeve kishin vështirësi të mëdha, ndërkaq 20.1% përballeshin me vështirësi, në kryerjen e pagesave të nevojshme të zakonshme të familjes, marrë parasysh të ardhurat. Shkaktari burimor i kësaj situate është inflacioni. Por, thellimi i krizës erdhi si rezultat i mungesës së masave adekuate për të zbutur pasojat e inflacionit për familjet”, ka shkruar Hoti në llogarinë e tij “Facebook”.

Ish-kryeministri thotë se në Kuvend por edhe jashtë tij kanë thënë se ndihma e njëhershme nuk është zgjidhje teksa sipas tij këtë po e dëshmojnë edhe statistikat e Qeverisë. Mes tjerash, ai ka propozuar edhe dy zgjidhje për daljen nga kjo krizë.

“E kemi ngritur vazhdimisht në Kuvend dhe jashtë Kuvendit, se ndihma e njëhershme nuk është zgjidhje për zbutjen e pasojave të inflacionit. Tani këtë po e dëshmojnë statistikat e Qeverisë. Zgjidhja është: (1) indeksimi i pensioneve dhe asistencës sociale, së paku aq sa ka qenë inflacioni, në mënyrë që të ruhet standardi minimal i jetës së familjeve më të cenueshme nga inflacioni, si dhe (2) zgjerimi i përkohshëm i listës së mallrave me normë të reduktuar të TVSH-së prej 8 për qind”, ka shkruar tutje Hoti.

Back to top button