Hoti: Udhërrëfyes i dialogut është Kushtetuta e Kosovës

 

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka marrë sot pjesë në Tryezën e diskutimit: “Kryeministri i Kosovës përballë platformës së shoqërisë civile për dialog”, të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Në fjalën e tij hyrëse, kryeministri Hoti ka folur për kronologjinë e procesit të dialogut, si dhe për transparencën në këtë dialog, por edhe rrugën që Qeveria e Kosovës do ta ndjekë deri në arritjen e marrëveshjes finale për njohje reciproke ndërmjet dy vendeve.

Hoti ka përmendur angazhimet e qeverisë përgjatë tre muajve sa i përket qasjes ndaj dialogut me Serbinë duke theksuar se udhërrëfyes që nga dita e parë kur e ka marrë detyrën për procesin e dialogut është Kushtetuta e Kosovës.

“I kemi rikonfirmuar edhe një herë parimet tona për dialogun duke besuar se këto parime i nxjerrin jashtë loje komplet konspiracionet e shumta për takimet gjoja jopublike që kanë ndodhur mes delegacionit kosovar dhe atij serb”, tha kryeministri Hoti duke shtuar se “integriteti territorial i Kosovës është i panegociueshëm dhe se kjo nuk është shtruar asnjëherë para meje në tre muajt e fundit në çdo tavolinë të dialogut që unë kam marrë pjesë”. E dyta, vijoi ai, organizimi kushtetues i Kosovës nuk mund të preket, që nënkupton se ruhet karakteri unitar i shtetit, se nuk ka asociacion me kompetenca ekzekutive në Kosovë dhe për të dyja këto parime të procesit të dialogut, ka mbështetje të plotë nga partnerët tanë ndërkombëtarë dhe parimi i tretë që marrëveshja duhet të jetë plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Po ashtu, kryeministri Hoti ka theksuar “se ky proces duhet të rezultojë vetëm me njohje reciproke dhe assesi të mos mbetet një proces që e konsumon vetëm veten dhe që nuk prodhon rezultate në fund dhe se produkt i marrëveshjes dhe obligim i BE-së duhet të jetë që ta kalojmë problemin me pesë vendet anëtare që nuk  e njohin Kosovën, mandej shfuqizimi  i Rezolutës 1244 dhe anëtarësimi në OKB, organizata ndërkombëtare dhe hapja e perspektives për Kosovën për integrime euroatlantike, si dhe adresimi i të gjitha çështjeve pa përjashtim”.

Kryeministri Hoti ka folur edhe për takimin e parë të nivelit të lartë më 16 korrik duke thënë se njëra nga temat ka qenë për personat e pagjetur dhe se kanë insistuar që ta fillojnë këtë dialog me personat e pagjetur, për shkak të ndjeshmërisë që e ka, por edhe për çështjet ekonomike dhe se në këtë aspekt është zhvilluar progres.

Ndër të tjera, kryeministri Hoti ka ripohuar se pa e arritur njohjen reciproke me Serbinë, nuk mund të adresohen çështjet e tjera, pasi çështjet e tjera janë derivat i njohjes reciproke.

Duke folur për marrëveshjen e arritur në Uashington, kryeministri Hoti tha se ka elemente kryesisht ekonomike, politike, por edhe të të drejtave të njeriut e edhe çështje të tjera.

“Janë dy komponente që janë shumë të rëndësishme, pjesa ekonomike që është një listë e projekteve kryesisht infrastrukturore, por edhe mbështetje për ndërmarrje të vogla  dhe të mesme edhe që në total vetëm për pjesën tonë të Kosovës shkon në 1 miliard dollar amerikan. Janë disa agjenci në SHBA që e kanë marrë financimin e këtyre projekteve”, tha kryeministri Hoti duke bërë të ditur se në fund të shtatorit pret një vizitë nga përfaqësues të këtyre agjencive për të konkretizuar se si do të lëvizet më tutje.

Në këtë tryezë diskutimi, kryeministri Hoti ka folur edhe për njohjen nga Izraeli si pjesë e marrëveshjes në Uashington, duke thënë se është thyer një bllokadë që Kosova e ka pasur në njohjet ndërkombëtare tash e tre vjet dhe se njohja nga Izraeli hap një kapitull komplet të ri të konsolidimit të shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Dhe, unë besoj se pritjet e mia janë që gjatë kësaj periudhe njëvjeçare ne duhet ta mbyllim çështjen në mes të Kosovës dhe Serbisë. Nuk ka momentum më të mirë, ka një interesim të drejtpërdrejtë të presidentit të ShBA-së, Trump dhe kryeqendrave të BE-së për këtë proces dhe ndoshta për arsye gjeopolitike që të mbyllet ky regjion i Ballkanit Perëndimor për ndërhyrjet që vijnë vazhdimisht nga Lindja”, tha kryeministri Hoti.

Gjithashtu, Kryeministri Hoti ka thënë se ka bërë kërkesë që të raportojë në Kuvendin e Kosovës, siç edhe kanë kërkuar deputetët që të raportohet pas çdo raundi të bisedimeve.

“Pas nënshkrimit të marrëveshjes në Uashington, ne jemi kthyer në Bruksel, në vazhdimin e dialogut në takimin e nivelit të lartë për të adresuar tash çështje të tjera”, pohoi kryeministri Hoti, i cili, po ashtu, tha se është zotuar që nga dita e parë se për të gjitha temat do të jetë transparent si para shoqërisë civile, deputetëve dhe qytetarëve.

Me këtë rast, kryeministri Hoti vlerësoi se duhet një konsensus politik për të ratifikuar këtë marrëveshje.

Në përmbyllje të kësaj tryeze, kryeministri Hoti iu është përgjigjur edhe shumë pyetjeve të parashtruara nga përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe të mediave./21Media

 

 

Back to top button