Hoti: Vendimet e dy viteve të kaluara të qeverisë, tipike të sistemeve komuniste
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se projektligji për themelimin e Fondit Sovran paraqet hap konkret drejt vendosjes të ekonomisë së komanduar, sistem i cili, sipas tij, ka dështuar.
“Më në fund, këta majtistë po e marrin guximin të tregojnë se për çfarë sistemi ekonomik janë- këta janë për ekonomi të komanduar me elemente komunizmi”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Tutje, Hoti ka thënë se vendimet e dy viteve të kaluara të qeverisë janë tipike të sistemeve komuniste. “Ulja e pagave, ligji për çmimet maksimale, vendimi për caktimin e marzhave të fitimit, tendenca për shtetëzim të Odës Ekonomike, marrja e të hyrave vetanake të komunave e kështu me radhë”, ka shkruar deputeti Hoti.
Sipas tij, të gjitha këto janë veprime që e karakterizojnë sistemin komunist.