Hoti zotohet për krijimin e ushtrisë dhe liberalizimin e vizave

Gjatë fushatës zgjedhore në Suharekë Hoti u dha premtime qytetarëve

Kandidati për kryeministër nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti ka thënë të premten në Suharekë se vetëm ky koalicion është partner serioz i aleatëve tanë euroatlantikë, për të krijuar Ushtrinë e Kosovës dhe liberalizimin e vizave.

Ai ka shtuar se Ushtrinë e Kosovës synojmë ta ndërtojmë përmes ndryshimeve kushtetuese dhe në partneritet me SHBA dhe NATO-n.

“Do të arrijmë t’i bindim aleatët tanë se janë krijuar kushtet për avancimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri. Ne nuk do të ndjekim strategji protagonizmi në këtë proces, sepse është dëshmuar se një strategji e tillë vetëm e dëmton realizimin e synimit tonë për ta bërë Kosovën me ushtri partnere të ushtrisë amerikane dhe NATO-s”, ka thënë Hoti.

Ai ka theksuar se koalicioni LDK-AKR-Alternativa në radhët e veta ka ekspertë, ushtarakë dhe ish-luftëtarë që dinë më së miri ta bëjnë ushtrinë dhe se tash nevojitet koordinim ndërkombëtar dhe unitet i brendshëm.

Kandidati për kryeministër nga Koalicioni i djathtë ka thënë se nuk do t’i shmangen detyrimit për ratifikimin e marrëveshjes për shënjimin e kufirit me Malin e Zi.

“Jo vetëm, sepse këtë e kemi kriter për të fituar liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Por, edhe sepse ne duam të demonstrojmë që jemi shtet serioz dhe që nuk u bishtnojmë detyrimeve ndërkombëtare. Por, për ta shmangur rrezikun e shndërrimit të sërishëm të kësaj çështjeje në kauzë politike për pushtet, qeveria që unë do të drejtoj ka një plan me hapa konkretë për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Besoj fuqishëm që brenda një afati rekord, ky plan do të arrijë të qartësojë gjithçka rreth kësaj marrëveshjeje dhe Bashkimi Evropian do ta ketë të hapur rrugën për të vendosur për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Hoti.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se dallojnë nga të tjerët pasi kanë plane konkrete për zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Ndërsa, presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka thënë se i jep përkrahje Hotit në krye të qeverisë, derisa kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari Lila, ka thënë se koalicioni i territ do të shënojë humbje.

Back to top button