Hovenier: Asociacioni ligjërisht i obligueshëm

Ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, tha se marrëveshja për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe është konfirmuar nga Kuvendi i Kosovës dhe si e tillë është ligjërisht e obligueshme. Sipas tij shtetet nuk mund të vendosin se cilat marrëveshje ligjërisht të obligueshme t’i zbatojnë dhe cilat jo. Ambasadori i SHBA-së foli me një numër të përzgjedhur të gazetarëve në një takim të fundvitit për një numër çështjesh. Ai tha se Kosova është një shtet që ndjek zbatimin e Ligjit dhe prandaj edhe pritjet janë që ta zbatojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
“Ne gjithashtu besojmë fuqishëm që është edhe në interesin e Kosovës që ta bëjë një gjë të tillë. Ky është një element i rëndësishëm i kësaj përpjekjeje të gjerë për të përshpejtuar normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
Ambasadori Hovenier tha se serbët e Kosovës janë qytetarë të Kosovës, banorë të Kosovës, gëzojnë të drejtat në Kosovë dhe duhet të duhet t’i gëzojnë ato dhe mbrojtjen nga shteti sikur të gjithë qytetarët e Kosovës. Sipas tij, serbët e Kosovës kanë shprehur shqetësimet e tyre me besimin se shteti nuk i ka adresuar shqetësimet e tyre. Ata kanë folur për rëndësinë e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe si një indikator i gatishmërisë së institucioneve për t’iu përgjigjur atyre, tha Hovenier.
Ai tha se SHBA-ja është shumë serioze që ta shoh çështjen e Asociacionit të ecë përpara dhe se do të bisedojë me shumë hisedarë. Por Hovenier tha se janë në dijeni të shqetësimeve se Asociacioni mund të keqpërdoret në mënyra të ndryshme apo të krijojë një nivel të tretë të qeverisjes dhe të krijojë defunksionalizim.
“Ne nuk e mbështesim diçka të tillë dhe kjo s’është gjë e re në pozicionin e SHBA-së. Çfarë i kemi thënë Qeverisë shumë qartë është që ne besojmë se Asociacioni duhet të ecë përpara. Por nuk duhet të bëhet në një mënyrë që është kundër me Kushtetutën aktuale të Kosovës, apo nuk duhet të bëhet në kundërshtim me vendimin e vitit 2015 të Gjykatës Kushtetuese. Ne besojmë që nën këto dispozita ka shumë hapësirë që Asociacioni të bëhet dhe të funksionojë dhe të adresojë të gjitha shqetësimet e serbëve etnikë në Kosovë. Në shëndetësi dhe arsim në mënyrë specifike”.
Ambasadori Hovenier tha se të gjitha qëndrimet janë se cështja e Asociacionit të diskutohet brenda dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe ky qëndirm nuk do të ndryshojë.
Diplomati amerikan në takim me gazetarët tha se krizat e fundit në pjesën veriore të Kosovës e kanë vështirësuar përqëndrimin në cështjen strategjike të arritjes së një marrëvehsjeje gjithëpërfshirëse. Por ai tha se shpreson se në vitin e ri do të ketë vazhdim të bisedimeve më intensive./21Media

Back to top button