Hovenier: Çdo përpjekje për të penguar zgjedhjet do të përballet me dënim të ashpër ndërkombëtar

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se përpjekjet për të penguar zhvillimin e zgjedhjeve në pjesën veriore të Kosovës, nëpërmjet frikësimit ose çfarëdo kërcënimi apo përdorimi të dhunës, do të përballen me dënim të ashpër nga komuniteti ndërkombëtar. Në një përgjigje me shkrim për RTV21, Ambasadori Hovenier tha se qytetarët në veri të Kosovës dhe të gjitha partitë politike kanë përgjegjësi për të respektuar procesin demokratik, marrë parasysh se të gjithë kanë pasur mundësinë të regjistrohen dhe të marrin pjesë.

Deklaratat e ambasadorit Hovenier pasuan bojkotimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 23 Prillit në komunat në veri të Kosovës nga pothuaj të gjitha partitë politike serbe, përfshirë edhe Listën Serbe.

“Qëndrimi i SHBA-së është i qartë dhe i pandryshuar: në përputhje me kërkesat e saj ligjore, Kosova do të mbajë zgjedhje të ricaktuara për kryetar komunash dhe zgjedhje komunale më 23 prill në katër komunat në veri të Kosovës ku kryetarët aktualë dhanë dorëheqje më 5 nëntor 2022, ka thënë Ambasasdori Hovenier në përgjigjen e tij për RTV21.

“Ne vlerësojmë përpjekjet e bëra nga zyrtarët zgjedhorë kosovarë për të lejuar regjistrimin e të gjithë kandidatëve. Të gjitha partitë politike në Kosovë patën mundësinë të zgjedhin të marrin pjesë në procesin demokratik të zgjedhjeve. Ne inkurajuam kandidatët nga të gjitha partitë politike që të marrin pjesë në këtë proces demokratik. Përpjekjet për të penguar zhvillimin e këtyre zgjedhjeve, nëpërmjet frikësimit ose çdo kërcënimi apo përdorimi të dhunës, do të përballen me dënim të ashpër nga komuniteti ndërkombëtar”, nënvizoi Ambasadori i SHBA-së në Kosovë.

Hovenier ka thënë se “Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e saj po e ndjekin këtë proces nga afër. Presim që Qeveria e Kosovës të jetë e ndjeshme ndaj shqetësimeve të qytetarëve të saj në veri të Kosovës gjatë gjithë këtij procesi. Qytetarët në veri të Kosovës dhe të gjitha partitë politike kanë përgjegjësi për të respektuar procesin demokratik, duke e ditur se të gjithë kanë pasur mundësinë të regjistrohen dhe të marrin pjesë”./21Media

Back to top button