Hovenier: NATO veproi pikërisht për shkak të ngjarjeve si ajo në Krushë të Madhe

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier kujtoi masakrën në Krushë të Madhe në Rahovec 25 vjet më parë, duke marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore.

Hovenier kujtoi se një ditë para se të ndodhte masakra që la rreth 250 viktima dhe rreth 60 të zhdukur që prej atëherë, NATO nisi fushatën bombarduese pikërisht për shkak të këtyre ngjarjeve.

“Ne jemi mbledhur këtu për të qenë dëshmitar i asaj që ka ndodhur këtu. Vetëm një ditë pasi NATO-ja filloi fushatën e saj për t’i dhënë fund fushatës së tmerrshme të spastrimit etnik, forcat e Millosheviqit hynë në këtë fshat dhe vranë mbi 250 civilë të pafajshëm. NATO veproi pikërisht për shkak të veprimeve të tmerrshme si ky që kishte ndodhur këtu”, tha Hovenier.

Ambasadori amerikan kujtoi edhe fjalët e Sekretares së atëhershme të Shtetit, Madeleine Albright, ditën kur ndodhi kjo masakër.

“Të njëjtën ditë, Sekretarja e atëhershme e Shtetit, Madeleine Albright tha: e kemi të pamundur të negociojmë përderisa Millosheviqi shton numrin e forcave, i sulmon civilët dhe i djegë fshatërat në Kosovë. Aksionet e NATO-s kanë qëllim ta mbështesin paqen dhe sigurinë në Evropë dhe t’u japin fund mizorive dhe krizës humanitare. Me të vërtetë, si aleancë, ne u bëmë bashkë për të vepruar, për të reaguar, vetëm pasi i kishim shteruar të gjitha alternativat për ta ndalur gjakderdhjen. Prandaj, është tepër e duhur që pikërisht këtu në Krushë të Madhe, sot vëmë në pah dhe dëshmojmë për këtë tragjedi”, shtoi ambasadori.

Në fund, ai shprehu mbështetjen e SHBA-së për popullin e Kosovës.

Back to top button