Hovenier: Nuk ka kushte që zgjedhjet të mbahen në veri për momentin

Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier ka reaguar pas incidenteve me granata dore që ndodhën të martën në veri të Mitrovicës, ku persona të maskuar dëmtuan zyret e komisioneve komunale zgjedhore në këtë pjesë.
Hovenier ka thënë se dhuna nuk është asnjëherë mjet për të protestuar, derisa ka dënuar incidentet e djeshme në veri.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dënojnë ata që ushtruan dhunë gjatë incidenteve të djeshme në veri të Kosovës. Përdorimi i dhunës dhe i frikësimit, duke përfshirë përdorimin e një mjeti shpërthyes, dhe rrezikimin e jetëve nuk është kurrë një metodë e përshtatshme proteste, në asnjë rrethanë”, ka shkruar Hovenier në Twitter.
Ai tutje ka shkruar se SHBA është e shqetësuar se nuk ka kushte për momentin për mbajtjen e zgjedhjeve në veri të vendit.
“Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara se nuk janë krijuar kushtet për momentin që zgjedhjet të mbahen në fund të këtij muaji në veri të Kosovës. Siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioriteti më i lartë. Ne kërkojmë që të gjithë të përfshirët të jenë të përmbajtur”, shkroi Hovenier.
Zgjedhjet për kryetarë të katër komunave në veri janë caktuar të mbahen më 18 dhjetor, ndërsa zgjedhjet për kuvendet komunale do të mbahen më 25 dhjetor./21Media

Back to top button