Hovenier: Të arriturat e Kosovës janë mrekulli, duhet ende punë

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier ka thënë se Kosova ka arritur shumë në 13 vjetët e shkurtra të pavarësisë, por se ka ende shumë punë për t’u bërë.
Në një video prezantim të tij, të publikuar në faqet zyrtare të Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, Hovenier, ka thënë se Kosova dhe historia e Kosovës nuk janë të panjohura për të, pasi ka qenë pjesëtar i delegacionit amerikan në Procesin e Rambujesë e po ashtu, në vitin 2006, ka qenë në ekipin e OKB-së, i udhëhequr nga i dërguari i posaçëm Marti Ahtisaari, që ishte përgjegjës për negociatat për statusin.
Ai është shprehur i përkulur nga besimi që presidenti Biden dhe sekretari Blinken ia kanë dhënë për të udhëhequr misionin e SHBA-së në Kosovë.
“Kosova dhe historia e saj nuk janë të panjohura për mua. Gjatë dekadave të fundit, së bashku me kolegët e mi, kam pasur nderin që në funksione të ndryshme të përfaqësoj interesat e SHBA-së në mbrojtjen e popullit të Kosovës, sovranitetit dhe pavarësisë së saj. Në shumë mënyra, unë mishëroj përkushtimin e palëkundur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës përgjatë dekadave ndaj juve dhe vendit tuaja”, ka thënë Hovenier.
Ai ka thënë se është i ngazëllyer se çka mund të arrihet së bashku për të ardhmen e Kosovës./21Media

Back to top button