Hoxha: Dezinfektimi në disa shkolla po bëhet vetëm me ujë

 

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Sejdi Hoxha sot në senacën e Kuvendit ka theksuar se në shumë shkolla matja e temperaturës së nxënësve po bëhet nga punëtorët teknik, e që një gjë e tillë nuk po ndodhë ndaj deputetëve para fillimit të seancave plenare. Sipas tij, dezinfektimi në shumë shkolla të Kosovës, po bëhet vetëm me ujë.

Hoxha gjatë seancës plenare, ka ngritur këtë shqetësim duke theksuar se duhet të merret seriozisht jeta e nxënësve dhe mësimdhënësve, ashtu si e deputetëve të Kosovës, për çka tha se po bëhet diskriminim.

“Vendet e tjera për përkujdesin e shëndetit të nxënësve kanë angazhuar profesionistë shëndetësorë. Ata çdo ditë masin temperaturat e nxënësve si dhe shikojnë simptomat tjerat të cilat lidhen me virusin COVID-19. Shtrohet pyetja se kush po e bën këtë punë në Republikën e Kosovës? Ministër është mirë me na tregu kush po përkujdeset për kujdesin e nxënësve në Kosovë? Kush po e mat temperaturën e nxënësve në shkolla? Sigurisht që këtë po e bëjnë ose mësimdhënësit, ose punonjësit teknikë dhe administrativ. Ky veprim mund të rrezikojë edhe shëndetin e nxënësve por edhe shëndetin e mësimdhënësve dhe punonjësve të tjerë, sepse ata nuk janë profesionistë të fushës”, u shpreh ai.

Hoxha thotë se në disa shkolla ka informacione se dezinfektimi bëhet vetëm me ujë.

“Në të gjitha shkollat dezinfektimi pothuajse në të gjitha shkollat janë duke e bërë punonjësit teknikë. Madje kam informacione të sakta që në disa shkolla përdoret uji për dezinfektim. Nuk ka as materiale tjera dezinfektuese të cilat e luftojnë virusin COVID-19. Dhe sinqerisht kjo paraqet një shqetësim jashtëzakonisht të madh”, theksoi ai.

Ndër tjera, në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Sejdi Hoxha tha se numri i atyre që kanë mbetur pa u regjistruar në shkollat publike është jashtëzakonisht i madh. Për çka sipas tij, prindërit janë shumë të shqetësuar dhe ankohen që nuk kanë kushte t’i regjistrojnë në shkolla private.

Lëvizja Vetëvendosje e ka ftuar në interpelancë sot ministrin e Arsimit, Ramë Likaj për të dhënë sqarime për fillimin e vitit të ri shkollor.

Back to top button