Hoxha: E rëndësishme vizita e Hahnit në Kosovë

Komisionari evropian Johannes Hahn po viziton Kosovën

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha ka pritur sot Komisionarin e Bashkimit Evropian për zgjerim, Johannes Hahn në kufirin shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, duke e vlerësuar vizitën e tij si të rëndësishme.

Me këtë rast, Ministrja Hoxha në rrjetin social ka shkruar se ardhja e Hahnit sot në Kosovë është me rëndësi sepse është e lidhur me klimën aktuale në raportet e Republikës së Kosovës me fqinjët, me mesazhe të paralajmëruara për promovimin e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunim rajonal.

Gjithsesi, sipas ministres, fokusi i tyre është jo vetëm fqinjësia e mirë dhe bashkëpunimi rajonal, për të cilën kanë dhënë prova të bollshme, por edhe integrimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe liberalizimi i vizave.

“Nuk mund të arrihen suksese në procese integruese, nëse qytetarët e Kosovës kanë kufizime dhe janë të vetmit në Evropë të getoizuar. Ne kemi plotësuar të gjitha 95 kushtet e parapara me udhërrëfyesin e liberalizimit, andaj, ajo që presim ne është aprovimi i lëvizjes së lirë, si hap i nevojshëm i mirëbesimit dhe realizimin e përpjekjeve për procesin integrues dhe vlerave të përbashkëta integruese. Z. Hahn, do t’ia bëj me dije se ashtu siç ata kanë pritur nga ne plotësimin e 95 kushteve nga udhërrëfyesi për liberalizim, edhe ne presim nga ju aprovimin e vendimit për liberalizim në Këshillin e Ministrave!”, ka shkruar Hoxha.

Hahn gjatë vizitës së sotme në Kosovë ka takuar krerët e lartë të vendit.

Back to top button