Hoxha: Kemi progres në 22 prioritetet e agjendës së reformave

”Agjenda për Reforma Evropiane (ERA), sfidat dhe pritshmëritë”

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha ka deklaruar se ka progres në Agjenden e Reformave, e cila parasheh zbatimin e 22 prioriteteve nga një varg institucionesh.

Këto komente ministrja Hoxha i bëri në tryezën e diskutimit me temë ”Agjenda për Reforma Evropiane (ERA), sfidat dhe pritshmëritë”, të organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Instituti GAP dhe Instituti i Prishtinës për Studime Politike.

Ministrja Hoxha ka theksuar se Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Bashkimi Evropian kanë lansuar Agjendën e Reformave (ERA), e cila parasheh zbatimin e 22 prioriteteve nga një varg institucionesh.

“Deri më tani ka progres të konsiderueshëm, ky progres është avancuar sidomos pas miratimit të 11 ligjeve në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Sa i përket sundimit të ligjit ndër të arriturat më të mëdha është miratimi i ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit dhe miratimi i ndryshimit te ligjit për prokurorinë e shtetit. Në këtë drejtim, ka pasur progres edhe në një numër prioriteteve”, theksoi ministrja Hoxha, duke cekur disa nga këto prioritete.

Ajo shtoi se duhet të tregohet përkushtim dhe seriozitet në zbatimin e prioriteteve dhe MIE është duke ndihmuar në këtë drejtim dhe po punon ngushtë me të gjitha institucionet për të zbatuar këto prioritete.

“Qeverisja e mirë dhe sundimi i ligjit, konkurrueshmëria dhe përmirësimi i klimës për investime, si dhe politikat më të avancuara të punësimit dhe arsimit të lartë janë padyshim detyrë dhe obligim i yni karshi qytetarëve të vendit tone”, tha ministrja Hoxha, duke theksuar angazhimin gjithëpërfshirës institucional por edhe inkorporimin edhe të shoqërisë civile.

Back to top button