Forumi ekonomik Kosovë-Kroaci mbahet në vjeshtë

Mikuliq: Kroacia ndihmon Kosovën në rrugën drejt Evropës

Në vjeshtë do të mbahet një Forum ekonomik Kosovë-Kroaci në Prishtinë për një bashkëpunim sa më të ngushtë ekonomik në mes dy vendeve, ku do të merr pjesë edhe kryeministri i Kroacisë.

Kjo u bë e ditur sot në takimin e Grupit të Miqësisë Kosovë – Kroaci i Parlamentit kroat me Grupin e Miqësisë Kosovë – Kroaci të Kuvendit të Kosovës, ku është diskutuar për tema me rëndësi për të dyja shtetet.

Kryetari i Grupit të Miqësisë Kosovë-Kroaci, Avdullah Hoti, tha se ishte një takim miqësor dhe ka falënderuar delegacionin kroat për mbështetjen që Kroacia ka dhënë vazhdimisht për Kosovën.

“Një vend mik me plot kuptimin e fjalës, që ka vlerësime më të larta nga ana jonë. Ne kemi pasur një histori të përbashkët si dy vende në konsolidimin e shtetësisë tonë dhe besoj shumë që nga përvoja e pasur e Kroacisë në këtë drejtim, në veçanti në arritjen e atij konsensusi të nevojshëm politik në mes të gjitha forcave politike për tema që janë të rëndësisë nacionale”, deklaroi Hoti.

Andrija Mikuliq, kryetar i Grupit të Miqësisë nga Kroacia tha se do të punojnë për rritje të bashkëpunimit me deputetët e Kuvendit të Kosovës, dhe sipas tij, Kroacia çdo herë do ta mbështesë Kosovën në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

“Ajo që dëshiroj të them nga këtu, është se ne do të punojmë për rritjen e nivelit të bashkëpunimit parlamentar dhe u morëm vesh që të takohemi çdo tre deri gjashtë muaj. Ne i përfaqësojmë interesat e komuniteteve tona, do t’i konkretizojmë gjërat për të cilat do të bisedojmë. Pra, me një porosi që dua ta them se Republika e Kroacisë gjithherë do t’i ndihmojë Republikës së Kosovës në rrugën e saj drejt Evropës. Ishim, jemi dhe do të jemi miq edhe në të ardhmen”, ka thënë Mikuliq.

Ermina Lekaj Perlaskaj, deputete e vetme shqiptare në Parlamentin e Kroacisë, tha se qëllimi i këtij takimi është të ketë marrëdhënie sa më të mira me Kosovën në aspektin e integrimeve dhe ekonomisë.

“Kjo është vizita e parë që e kemi bërë me Grupin Miqësor të Kroacisë, ku kemi për qëllim që të kemi raporte dhe marrëdhënie sa më të mira me Republikën e Kosovës që t’ju japim mbështetje në integrime evropiane, si dhe njëherësh të kemi një bashkëpunim sa më të ngushtë ekonomik dhe këtë do ta nisim me një forum në mes të ekonomistëve dhe bizneseve që do të mbahet shpresoj në shtator ose tetor, ku do të merr pjesë edhe kryetari i Qeverisë së Kroacisë”, ka thënë Lekaj-Perlaskaj.

Nga 120 deputetë sa ka Kuvendi i Kosovës, 26 prej tyre janë në Grupin e Miqësisë Kosovë-Kroaci.

Back to top button