Hoxha: Maqedonia e Veriut po stagnon autostradën me Kosovën

Apel për Qeverinë e Maqedonisë Veriore

Ka më shumë se 10 vjet që Oda Ekonomike Veri-Perëndimore po apelon në Qeverinë e Maqedonisë Veriore që të përshpejtohet procesi i investimit respektivisht mbarimit të autostradës Shkup-Bllacë, ku nga ana tjetër, veç Kosova ka përfunduar një autostradë moderne, thotë kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë, Veri-Perëndimore, Nebi Hoxha në një intervistë për kp, ku thekson se barrierat tregtare në rajon janë të shumta.

Hoxha deklaron se këto nuk po gjejnë zgjidhje asnjë herë. Sipas tij, në të shumtën e rasteve, barrierat në vend-kalimet kufitare në mes të vendeve tona, janë çështje administrative, dokumentacioni i tepruar, certifikatat e origjinës, licencat e eksportit por është edhe jo përgatitja e mjaftueshme e stafit në vendet e tyre të punës, që kjo krijon një vonesë që pastaj krijon kosto.

Ai përmend edhe rastin me Shqipërinë, ku ka skanim të dyfishtë për mallra.

Hoxha thotë se duhet të ketë një mbështetje më të madhe nga qeveritë përkatëse, në mënyrë që produktet e prodhuesve shqiptarë të jenë më konkurruese në treg. Sipas tij, duke bashkëpunuar bizneset, mund të jenë shumë komplementar në mënyrë që bashkërisht të depërtojnë nëpër tregje të huaja të cilat kanë nevojë jashtëzakonisht të madhe për produktet shqiptare.

“Jo rrallëherë ne ngremë zërin, por problemi qëndron në implementimin e kërkesave tona dhe heqjen e e barrierave të cilat shfaqen në praktikë për qarkullimin e mallrave në mes të vendeve tona… Në të shumtën e rasteve, barrierat në vend-kalimet kufitare në mes të vendeve tona janë çështje administrative, dokumentacioni i tepruar, certifikatat e origjinës, licencat e eksportit dhe gjithashtu është edhe jo përgatitja e mjaftueshme e stafit në vendet e tyre të punës, që kjo krijon një vonesë, e çdo vonesë krijon kosto dhe në këtë rast nuk jemi konkurrues në regjion”, thotë Hoxha.

Nga ana tjetër, sipas Hoxhës ka problem në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore me Kosovën, që ka më shumë se 10 vjet që Oda Ekonomike Veri-Perëndimore po apelon në Qeverinë e Maqedonisë Veriore, që të përshpejtohet procesi i investimit respektivisht mbarimit të autostradës Shkup-Bllacë, ku Kosova ka përfunduar një autostradë moderne.

“Kjo është një absurditet i pa kuptimtë kur kemi një shtet partner strategjik dhe ne në vend që të fokusohemi që të përshpejtojmë dhe të rrisim qarkullimin me atë shtet, në rastin konkret Maqedonia po stagnon me autostradën me Kosovën që, do të thotë se është një situatë që nuk mund të shpjegohet në aspekt ekonomik veçse ne jemi ata të cilët krijojmë rritje dhe zhvillim ekonomik, jemi gjithmonë të zëshëm, por problem qëndron në realizimin nga politikëbërsit e vendeve tona”, thotë ai.

Hoxha ka prezantuar këmbimet tregtare të Maqedonisë Veriore me vendet e rajonit, ku thotë se ky shtet me Greqinë ka 172.8 milionë euro eksport, 683.7 milionë euro import, me Serbinë 248 milionë euro eksport, 606 milionë euro import, me Shqipërinë 89 milionë euro eksport, 117 milionë euro import dhe me Kosovën 297 milionë euro eksport, 29.7 milionë euro import ose raport 10 me 1.

Sipas tij, me këtë suficit ekonomik ndaj shtetit më strategjik ekonomik si Kosova, Maqedonia e Veriore ende heziton në infrastrukturën rrugore si pikë kryesore e platformës për zhvillim ekonomik që ndërlidh dhe stimulon këmbimin tregtar me këto dy shtete.

Back to top button