Hoxhaj e Haradinaj nderojnë të rënët në masakrën e Dubravës

 

Dy liderët opozitarë, Ramush Haradinaj e Enver Hoxhaj kanë marrë pjesë sot në shënimin e 22 vjetorit të Masakrës në Burgun e Dubravës, me ç’rast u përurua edhe Lapidari në respekt të të rënëve, plagosurve dhe të mbijetuarve të masakrës.

Në fjalën e rastit, Haradinaj tha se shumë shqiptarë shumicën e jetës së tyre e kanë kaluar nëpër burgje duke përmendur kështu jetën dhe sakrificat e Adem Demaqit, Smajl Haradinajn duke thënë se nuk është se kjo masakër ishte fillimi i së keqes nga burgjet për shqiptarët.

Ai tha se 500 mijë njerëz janë keqtrajtuar, janë persekutuar dhe kanë qenë eksperiment për pushtetin serb.

Tutje Haradinaj tha që populli i Kosovës nuk u dorëzua për arsye që kjo dukuri të mos vazhdohet përjetësisht, ai këtë rrugë për ndalimin e këtyre masakrave e kanë ndjekur shumë njerëz të cilët është krenari t’ua përmendim emrat, ata janë Adem Jashari bashkë me familje, Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

“Në kohën kur ka ndodhur kjo Masakër, shqiptarët kanë qenë të organizuar në luftë për liri, për me e ndal pikërisht tragjedinë e shqiptarëve jo vetëm në Kosovë por në ish Jugosllavi sepse kanë qenë gjithë në burg”, u shpreh kreu i AAK-së.

Edhe kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj e ka vlerësuar masakrën e Dubravës si më makabren, e cila u realizua me urdhër të Millosheviqit dhe regjimit të tij gjenocidal mbi shqiptarë me duar të lidhura e të pambrojtur.

“Me miq, bashkëpunëtorë e kolegë sot isha në Burgun e Dubravës, për të kujtuar të rënët dhe për të nderuar të mbijetuarit e Masakrës që shokoi Kosovën 22 vjet më parë, në maj të vitit 1999. Kur një burgu të madh politik si Jugosllavia po i vinte fundi, si rezultat i luftës tonë çlirimtare të UÇK-së, në burg të Dubravës me urdhër të Millosheviqit dhe regjimit të tij gjenocidal u realizua masakër mbi shqiptarë me duar të lidhura e të pambrojtur”, ka shkruar Hoxhaj në Fcebook.

Back to top button