Hibrid: Inteligjenca artificiale në fushatat politike kërkon transparencë më të madhe

Platforma për verifikim të fakteve Hibrid.info ka bërë thirrje për transparencë në përdorimin e inteligjencës artificiale në komunikimin politik.
Siç thotë kjo platformë me anë të një njoftimi për media, përdorimi i inteligjencës artificiale (IA) në komunikimin politik po bëhet gjithnjë e më i pranishëm në fushatat zgjedhore në Kosovë.
“Përmbajtjet e gjeneruara me IA po përdoren për të ilustruar premtime elektorale, për të paraqitur vizione për të ardhmen, por edhe për të komentuar gjendjen aktuale shoqërore dhe institucionale. Megjithëse këto përmbajtje mund të shërbejnë si mjete efektive komunikimi, ekziston rreziku që ato të perceptohen si pamje apo ngjarje reale nga një pjesë e publikut. Për këtë arsye, transparenca duhet të jetë parim themelor në përdorimin e IA-së në fushata politike. Aktualisht, Kosova nuk ka rregullim ligjor që kërkon etiketimin e përmbajtjeve të gjeneruara me IA. Megjithatë, standardet evropiane, përfshirë AI Act, kërkojnë që përmbajtjet sintetike të identifikohen qartë për publikun, me qëllim shmangien e dezinformimit dhe ruajtjen e integritetit të debatit publik”, thekson më tej kjo platformë.
Hibrid.info poashtu potencon se vazhdon të avokojë për vendosjen e standardeve dhe mekanizmave që sigurojnë transparencë në përdorimin e inteligjencës artificiale.
“Përdorimi i IA-së në komunikimin politik mund të jetë i pranueshëm vetëm kur shoqërohet me etiketime dhe deklarime të qarta që informojnë qytetarët për natyrën e përmbajtjes që konsumojnë”, thuhet ndër të tjera nga kjo platformë.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?