Hoxhaj kërkon mbështetje për Krasniqin: Na duhet një koncept i ri

Ish-ushtruesi i detyrës se kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj ka deklaruar se Konventa e Jashtëzakonshme zgjedhore do t’i shërbejë modernizimit dhe reformimit të partisë.
Në konventën zgjedhore, Hoxhaj tha se koncepti i ri i PDK-së do ta forcojë partinë si shtetformuese.
“Ne jemi partia që ka ditur t’i përshtatet kohës dhe rrethanave të qytetarëve. PDK ka nevojë që të reflektojë, reformohet dhe modernizohet. Neve na duhet një koncept i ri, një hapje dhe ta forcojmë edhe më shumë identitetin tonë si parti shtetformuese dhe të djathtë”, tha ai.
Mbajtjen e kësaj konvente, Hoxhaj përmendi edhe dy ish-liderët e kësaj partie, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli.
“Kjo konventë është e pazakontë sepse është pa kryetarin Veseli dhe presidentin Thaçi, e të cilët jam i bindur se do të kthehen faqebardhë dhe fitimtarë. Ne jemi krenar me ta, me të arriturat e tyre. Prandaj nga kjo konventë duam t’i falënderojmë se sa krenar jemi me ta. Me këtë konventë nuk po i zëvendësojmë liderët tanë historik, por një PDK e fortë do të thotë një UÇK e fortë”, shtoi ai.
Edhe gjatë kësaj konvente, Hoxhaj kritikoi Qeverinë Kurti, ku e quajti arbitrare.
Mungesën e kandidaturës së tij për kryetar të PDK-së, Hoxhaj tha se qëllimi ka qenë të ruaj unitetin e partisë dhe ta merr në dorë gjenerata e re PDK-në.
Kësisoj ai kërkoi mbështetje për kandidaturën e Memli Krasniqit.

Back to top button