​Hoxhaj: Me qasjen e Kurtit në dialog s’pres të ketë marrëveshje Kosovë-Serbi

Nënkryetari i Kuvendit, Enver Hoxhaj, njëherësh deputet i PDK-së, ka thënë se me qasjen e kryeministrit Albin Kurti në dialog, nuk pret të ketë marrëveshje Kosovë-Serbi.
Hoxhaj, përmes një statusi në rrjetin social Facebook, ka thënë se Kurti ka vetëm një diskurs agresiv retorik, “gjoja duke u treguar i fortë para partnerëve perëndimorë dhe duke thënë që Serbia nuk do marrëveshje.”
“Vizita e përfaqësuesve të lartë të SHBA-së, BE-së, Gjermanisë, Francës dhe Italisë tregon se partnerët strategjikë të Kosovës duan që dialogu të hyjë në një fazë të re, me një shpejtësi tjetër për të krijuar momentum për marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë! Por, kur dëgjon qëndrimet publike të Kurtit, shihet se ai nuk ka qartësi, as vendosmëri dhe as qëllime të qarta sa i takon rezultateve në dialog! Ai nuk ka bërë as zotim serioz dhe as përkushtim të mirëfilltë ndaj dialogut. Kjo është politikë e blerjes së kohës dhe kjo është e dëmshme për Kosovën për arsye të matshme. SHBA, Franca, Gjermania, Italia sëbashku me BE-në kanë qenë grupi i shteteve vendimarrëse për Kosovën dhe lindja e Kosovës si shtet i pavarur nuk do të ndodhte pa përkrahjen e tyre. E, edhe e ardhmja euroatlantike e Kosovës varet direkt nga ta, sikurse anëtarësimi në organizata evropiane, nga Këshilli i Evropës, NATO-s, BE-së dhe më gjerë. “, ka thënë tutje ish-kryediplomati.
Ai ka shkruar se marrëdhënia e Kosovës me Serbinë është e vështirë për shkak të historisë, por edhe për shkak të një politikeje armiqësore që po ndjek ende Serbia ndaj shtetit tonë!
“Mirëpo, vetëm në bashkëpunim me partnerët perëndimorë ne mund ta përmbyllim shtetësinë tonë me anëtarësim në OKB, ku, dialogu duhet t’i shërbejë Kosovës dhe jo Serbisë! Pse i duhet Kurtit besimi qytetarë, legjitim dhe pozita e kryeministrit nëse ai nuk ka guxim, vullnet dhe nuk bën asnjë veprim politik për të mbyllur tema të mëdha sikurse marrëveshja për njohje të ndërsjellë me Serbinë?!”, ka shkruar tutje ai.

Back to top button