Kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj në një konferencë për media ka kritikuar Qeverinë Kurti për organizimin e procesit të dhënies së vaksinave antiCOVID.

Hoxhaj ka thënë se sot secili qytetar i Kosovës është i shqetësuar, i dëshpëruar dhe i zemëruar me pamjet e shëmtuara të mënyrës se si janë trajtuar prindërit e gjyshërit tanë në sallën “1 Tetori” ku po zhvillohet procesi i vaksinimit.

Sipas Hoxhajt, pamjet e sotme tregojnë më së miri mjerimin politik të Qeverisë Kurti – një qeveri pa plan, pa prioritete dhe pa përgjegjësi dhe janë pasqyrim i sjelljes arbitrare të një kryeministri autoritar i cili do të duhej ta prezantonte programin qeverisës para disa javësh.

“Por edhe programi që është prezantuar nuk ka asnjë zotim konkret, asnjë afat të zbatimit, as një masë të matshme si do ti ndryshoj gjërat por ka një gjuhë përshkruese sikurse të ishte një punim i thjeshtë seminarik. Ai nuk pasqyron fare premtimet e VV-së me të cilat i fitoi zgjedhjet, por as nevojat e sotshme të qytetarëve dhe shtetit të Kosovës. Kur lexohet ky program 4 vjeçar i Qeverisë Kurti, përshtypjen e parë që e fiton secili është se vendi nuk përballet me pandemi. Sepse vendi ka tri probleme të mëdha sot për shkak të pandemisë, sikurse vaksinimin e popullatës, pasojat e ekonomisë në pandemi dhe menaxhimin e arsimit – me të cilat programi qeverisës nuk merret fare.”, ka thënë Hoxhaj./21Media