Hoxhaj thotë se s’ka njohje të ndërsjellë derisa Kurti s’do dialog serioz

Deputet i PDK-së, Enver Hoxhaj ka thënë se Kosova nuk do të arrijë një marrëveshje të ndërsjellë me Serbinë derisa Kurti nuk është i interesuar për dialog serioz dhe as për marrëveshje.
Hoxhaj përmes një postimi në “Facebook”, ka thënë se vizita e sotme dhe mbështetja amerikane janë parakushte për të bërë një kthesë rrënjësore drejt një marrëveshjeje të domosdoshme për njohje të ndërsjellë.
Por, ai ka shtuar se një mbështetje e tillë është vendimtare meqë Serbia ishte dhe është kundër një marrëveshjeje për njohje të ndërsjellë.
“Kosova nuk do të arrijë këtë marrëveshje, për sa kohë që z.Kurti nuk është i interesuar as për dialog serioz dhe as për marrëveshje, por është vetëm i interesuar për një simulim të “dialogut” gjatë vitit 2023 sikurse ishte vitin e kaluar!”, ka shkruar Hoxhaj./21Media

Back to top button