“Humbi jetën nga gjakderdhja”, i riu në Fushë Krujë u vra me një mjet shpues, autorët e dyshuar dy vëllezër

Ndriçohet ngjarja e ndodhur mëngjesin e datës 21 tetor 2022, në Fushë Krujë, ku u gjet i pajetë shtetasi Indrit Ndoj, 34 vjeç, banues në Krujë.
Policia dokumentoi me prova ligjore se 34-vjeçari nuk u vra me armë zjarri, por me një send të fortë shpues/prerës.
Po kështu, u identifikuan dhe vënë në pranga dy vëllezër, të dyshuar si autorë të vrasjes.
Të arrestuarit janë shtetasit Sajmir Miri, 39 vjeç dhe Landi Miri, 18 vjeç, banues në Fushë Krujë.
Nga tërësia e veprimeve të thelluara hetimore, këqyrja e vendit të ngjarjes, këqyrja e trupit të viktimës, si dhe mekanizmi i ngjarjes, rezultoi se në trupin e viktimës ka një plagë në këmbën e djathtë, që është shkaktuar nga një mjet i fortë shpues/prerës dhe për shkak të gjakderdhjes, 34-vjeçari humbi jetën.
Grupi hetimor, gjatë veprimeve hetimore sekuestroi në vendngjarje dhe në banesën e dy vëllezërve, prova ligjore që implikojnë dy vëllezërit në vrasjen e 34-vjeçarit.
Paraprakisht dyshohet se dy vëllezërit u konfliktuan fizikisht, për motive të dobëta, me 34-vjeçarin, i cili ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi” dhe e kishte thyer masën duke dalë në rrugë.
Në konflikt e sipër, ata e goditën me një mjet të fortë shpues 34-vjeçarin dhe më pas u larguan.
Materialet proceduriale i kaluan Pokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vrasja”, e kryer në bashkëpunim./Oranews

Back to top button