Humbi kontrollin, vetura përfundoi në lumë

Një aksident rrugor u shënua këtë të martë në aksin Elbasan-Librazhd.
Një automjet që drejtohej nga një 48-vjeçar nga fshati Xibrakë humbi kontrollin në vendin e quajtur “Ura e Murrashit” dhe doli nga rruga.
Makina, siç shihet edhe nga pamjet, përfundoi në lumin Shkumbin. Shoferi i cili po udhëtonte i vetëm, arriti të dilte nga mjeti dhe të shpëtonte.
48-vjeçari u ndihmua nga kalimtarë të rastit. Për shkak të plagëve që mori gjatë përplasjes ai u dërgua me urgjencë drejt spitalit të Librazhdit ku po merr ndihmë mjekësore.
“Rreth orës 12:35, në aksin rrugor “Elbasan-Librazhd”, në vendin e quajtur “Ura e Murrashit”, shtetasi A. Sh., 48 vjeç, banues në fshatin Xibrakë, Elbasan, duke drejtuar automjetin, ka humbur kontrollin dhe automjeti ka dalë nga rruga. Për shkak të dëmtimeve të marra, 48-vjeçari është dërguar për ndihmë mjekësore, në spitalin e Librazhdit. Grupit hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e shkakut të aksidentit”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Back to top button