Hyn në fuqi marrëveshja për nxitje të investimeve mes SHBA-së dhe Kosovës

 

Korporata amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar Financiar (DFC), njoftoi se ka hyrë në fuqi Marrëveshja për nxitjen e investimeve që ka arritur me Kosovën.

Hyrja në fuqi e kësaj marrëveshjeje, “i mundëson DFC-së që të vendos gamën e plotë të produkteve financiare në Kosovë”, tha DFC përmes një postimi në Twitter.

Më 31 dhjetor, 2020, kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti dhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, nënshkruan Marrëveshjen për nxitjen e investimeve, e cila mundëson vënien në dispozicion të mbështetjes financiare të SHBA-së, veçanërisht në sektorin privat të Kosovës.

Kjo marrëveshje do t’i mundësojë Korporatës së SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar Financiar, që të ofrojë gamën e saj të plotë financiare, që përfshin financim të borxhit, investime në ekuitet, sigurim të riskut politik dhe grante në ndihmën teknike.

Më 31 dhjetor, zëvendësshefi i DFC-së, njëherësh drejtori menaxhues për Ballkanin Perëndimor, John Jovanoviq deklaroi se DFC-ja sheh “potencial të madh për të ndihmuar në mobilizimin e investimeve që krijojnë vende pune dhe mbështesin zhvillimin për popullin e Kosovës”.

Back to top button