Tre policë të arrestuar në Gjakovë

 

Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës, në konsultim me prokurorinë kompetente, kanë arrestuar sot tre zyrtarë policorë në Stacionin Policor të Gjakovës, me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare” dhe “lëndim i rëndë trupor”. Po ashtu, IPK ka bërë rekomandimin për suspendim edhe të katër zyrtarëve tjerë policorë.

Sipas IPK, Departamenti i Hetimeve përmes Linjës së Kaltër (numrit të telefonit pa pagesë 080003333) ka pranuar një ankesë nga një qytetar për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga disa zyrtarë policorë në Gjakovë.

“Ngjarja është raportuar të ketë ndodhur sot në orët e hershme të mëngjesit kur qytetari ishte ndaluar nga policia në Gjakovë fillimisht për një kundërvajtje në trafik. Rasti është regjistruar në IPK dhe hetuesit janë angazhuar duke ndërmarrë veprime konkrete hetimore lidhur me këtë rast duke dalë në vendin e ngjarjes. Ankuesi është dërguar për tretman mjekësor nga policia si pasojë e lëndimeve trupore që dyshohet se kanë ardhur nga përdorimi i forcës nga zyrtarët policorë. Pas disa veprimeve hetimore në konsultim me prokurorinë kompetente, hetuesit e IPK-së kanë arrestuar sot tre zyrtarë policorë (punonjës në Stacionin Policor të Gjakovës) që ishin të përfshirë në këtë incident. Arrestimi i tyre është bërë me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare” dhe “lëndim i rëndë trupor” kurse me vendim të prokurorit të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë si dhe janë suspenduar nga detyra. Lidhur me këtë rast, bazuar në autorizimet ligjore, IPK ka bërë rekomandimin për suspendim edhe të katër zyrtarëve tjerë policorë”, thuhet në njoftim.

Hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti.

Back to top button