Syla ishte në arrati

Syla ishte në arrati

Policia e Kosovës ka arrestuar sot në mëngjes Bekim Sylën personin që është dënuar në rastin “Bllaca II” e i cili që nga koha e dënimit ishte në arrati.

Lajmin për arrestimin e Sylës e konfirmoi zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

“Mund të konfirmojmë se, sot në orët e hershme të mëngjesit Policia e Kosovës bazuar në Aktvendim të lëshuar nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë, ka arrestuar personin e dyshuar B. S. i lindur në vitin 1976. Personi i dyshuar tanimë i arrestuar është dërguar në mbajtje”, tha Kelani për kp.

Bekim Syla ishte pjesë e Rastit “Bllaca II”, që ishte vazhdimësi e “Bllaca I”, në të cilin, Fahredin Gashi qe dënuar me 18 vjet burg për vrasjen e Salih Gashit, vrasja e të cilit u klasifikua si krim i luftës .

Ditën kur u shpallë vendimi, ai ishte arratisur, për faktin se ai dhe disa të akuzuar të tjerë nuk ishin përcjellë me polici për në gjykatë.

Për rastin “Bllaca 2”, Sadik Abazi ishte dënuar me 12 vjet burg, Driton Hajdari me 7 vjet burg, Bekim Syla me 12 vjet, Shaban Syla me 8 vjet dhe Shpresim Uka me 15 vjet burg, për vrasjen e Ibush Kllokoqit dhe për tentim vrasjen e Adem Salihajt.

Aktakuza ndaj tyre ishte ngritur pas denoncimeve publike që i kishte bërë i vetëshpalluri agjent i ish-Shërbimit Informativ të Kosovës, Nazim Bllaca në nëntor 2009.