I kthehen paratë qytetarit që e shiti viçin për varrimin e nënës

Këshilli i Bashkësisë Islame Vushtrri: Nuk e kemi ditur që Beqiri ka qenë rast social

Këshilli i Bashkësisë Islame – KBI në Vushtrri ka reaguar në lidhje me rastin e qytetarit të Vushtrrisë, i cili ka deklaruar se i janë refuzuar shërbimet e varrimit të nënës së tij. Ky Këshill ka njoftuar se sot i ka kthyer paratë e anëtarësisë qytetarit .

“Po ashtu KBI ka formuar një komision të brendshëm për të shikuar nëse ka pasur ndonjë lëshim nga zyrtarët e KBI në këtë rast e për të parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen”, është theksuar në reagimin e KBI-së.

KBI në një njoftim për opinionin dhe qytetarët ka bërë të ditur se asnjë qytetar i Vushtrrisë nuk paguan për procedurat e varrimit dhe se pagesat për këtë shërbim janë marrë përsipër nga komuna që nga janari i vitit 2018.

Këtë e ka konfirmuar edhe Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri.

“Qytetarët e Komunës së Vushtrrisë që nga 1 janari 2018, nuk paguajnë për shpenzime të varrimit. Këto shpenzime i mbulon Komuna. Lidhur me rastin e qytetarit Sabri Beqiri ku pretendohet se i njëjti ka paguar 417 € për varrimin e nënës, sot kam takuar udhëheqësit e Këshillit të Bashkësisë Islame në Vushtrri ku më është sqaruar se komuna ka kryer të gjitha obligimet e parapara. Gjithashtu në KBI më njoftuan se paratë të cilat i ka paguar qytetari Sabri Beqiri, në emër të anëtarësisë, i janë kthyer pasi është evidentuar si rast skamnor.”, ka shkruar ai në Facebook.

Megjithëse, KBI në Vushtrri ka sqaruar se si çdokënd në botë edhe në Kosovë paguhet anëtarësia dhe shpenzimet e varrimit, ky institucion fetar ka theksuar se rastet skamnore janë të liruara nga ky obligim.

KBI bëri të ditur se i njëjti nuk ka deklaruar se është rast skamnor dhe nuk ka kërkuar që të lirohet nga obligimet e shpenzimeve. “Qytetari Sabri Beqiri, ka ardhur në Këshill dhe me vet dëshirë me para në xhep dhe ka deklaruar se dëshiron të paguajë anëtarësinë e pa paguar, duke deklaruar që “tani që është rasti edhe kam edhe ndihmën e vllaznillakut”,  është bërë e ditur në reagimin e KBI-së.

Kurse, kryetari i Vushtrrisë e ka quajtur të papranueshëm, refuzimin e shërbimit të ceremonisë së varrimit, ndërkohë që ka njoftuar se rastet sociale në Vushtrri si ai i personit në fjalë ndihmohen nga KBI me gjëra ushqimore.

“Refuzimi i kryerjes së shërbimeve të varrimit për qytetarët, aq më tepër rastet në nevojë është i pa pranueshëm dhe kundër praktikave të bashkësive fetare në Kosovë. Këto të fundit janë shembulli më i mirë i bashkëjetesës fetare dhe solidaritetit në vend dhe si të tilla duhet të dëshmohen e të çmohen vazhdimisht. Rasti i Sabri Beqiri dhe afër 100 familje tjera në Vushtrri ndihmohen rregullisht nga KBI me miell dhe pako tjera ushqimore në kuadër të programeve humanitare. Si duket deri te mos marrëveshja për pagesën prej 417€ ka ardhur për shkak të moskomunikimit të duhur qytetar-KBI. Komuna e Vushtrrisë gjithnjë do të mbetet në shërbim të qytetarëve dhe të ofroj përkrahje pa rezervë brenda mundësive që ka.”, ka shkruar më tutje Tahiri në facebook./21Media

Back to top button