I quajti patericë e VV-së, Faton Peci i kundërpërgjigjet Isa Mustafës
Ministri i Bujqësisë Faton Peci, ka reaguar ndaj deklarimeve të ish-kreut të LDK-së Isa Mustafës se Lista Guxo është shndërruar në patericë të partisë së Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti.
Mustafa tha se zgjedhjet lokale u zhvilluan në një ambient shumë më normal krahasuar me ato nacionale të 14 shkurtit në të cilat u promovua një histeri që ngjante me ato fashiste, jo vetëm nga VV dhe paterica e saj Guxo por edhe nga disa media, po ashtu tha se VV në zgjedhjet e ardhshme mund të mbetet partia e katërt, ndërsa Lista Guxo askund.
Në reagimin e tij në Facebook, ministri Peci ka thënë se Lista Guxo nuk është patericë e askujt pasi që ka siguruar vota të mjaftueshme në zgjedhje për ta dëshmuar veten si subjekt i fuqishëm politik.
“I nderuar pensionist Mustafa, në moshën tënde, njerëzit reflektojnë për rrugën në të cilën kanë ecur. Me moshën që ke nuk të falet të japësh mendime axhamish. Me performancën tënde, partinë që i ke pri e ke sjellë pothuajse në skaj të ekzistencës, duke e vu gjithnjë në dispozicion të PDK-së, kurdo që ajo ka pas nevojë. Madje nuk je skuqë, as kur ky subjekt, LDK-në ku ti je i vonshëm ta ka trajtuar si varëse çelësash. Pra, me fjalë të tjera ti je aksionar i shkatërrimit të partisë më të vjetër në vend. Rrjedhimisht, çfarë leksione po mbanë dhe kujt?! Të lutem, rri në qetësinë e moshës, sepse nëse ti s’ke pas guxim, ne kemi. Prandaj është pikërisht Lista “Guxo”, që ju siguroi pensionimin politik. Guxo ia dha Kosovës presidenten me legjitimitetin më të madh në historinë e pas pavarësisë. Zonja Osmani ka 300 mijë vota, i nderuar Mustafa, synim që ju s’e arritët as me më shumë se 30 vjet në skenën politike. Guximin tënd e shprehe duke qenë patericë e PDK-së, porse asnjëherë vetvetja”, ka shkruar Peci./kp