I vazhdohet paraburgimi të dyshuarit që vrau me sëpatë gruan e tij

I është vazhduar edhe për dy muaj paraburgimi burrit I.G, i cili dyshohet se vrau gruan e tij me sëpatë, në shtëpinë e tyre në rrugën “Mark Isaku”, më 25 nëntor në Prishtinë. Këtë për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
Ajo tha se i dyshuari do të qëndrojë në paraburgim deri më 25 shkurt.
“Referuar kërkesës tuaj për informata ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të akuzuarit I.G, për veprën penale Vrasje e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 pika 1.3 dhe 1.4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka aprovuar kërkesën e PTHP dhe të pandehurit I.G i ka vazhduar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej dy muaj, prej datës 25.12.2022 deri me datë 25.02.2023”, tha Gashi .
Kujtojmë se i dyshuari u vetëdorëzua në Polici rreth orës 04:40 në ditën tragjike, derisa të nesërmen [26 nëntor] ai u dërgua në paraburgim për 30 ditë./21Media

Back to top button