Ibishi: Kosova detyrimisht duhet të blejë armatime të reja
Serbia po armatoset çdo ditë e më shumë jo vetëm me armë mbrojtëse por edhe me armë sulmuese. Ndërsa, së fundmi ka propozuar edhe rikthimin e shërbimit ushtarak të detyrueshëm. Në këtë situatë, të nevojshme blerjen e armëve e ka edhe Kosova, jo për qëllim sulmues por për të prodhuar paqe dhe siguri në vend. Kështu ka vlerësuar eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi, i cili tha se Ministria e Mbrojtjes duhet të pajiset me të gjitha armët në mënyrë që Kosova në të ardhmen të jetë e gatshme të mbrojë sovranitetin e vendit.
Ibishi ka përmendur edhe sulmet e fundit të cilat po ripërsëriten në veri të Mitrovicës. Ai theksoi se edhe pse janë kacafytje në mes të qytetarëve serbë, ato duhet të parandalohen nga Policia e Kosovës sepse të njëjtat mund të ngritin tensione në vend.
Ibishi ka komentuar edhe propozimin e Serbisë për të rikthyer shërbimin ushtarak të detyrueshëm, derisa shton se shteti serb ka blerë armatime nga më të ndryshme por se i mungon faktori njeri dhe se vet ajo e ka pranuar një gjë të tillë.
Hedhja e granatës në veri të Mitrovicës, sipas ekspertit të sigurisë, Ibishi edhe pse ka qenë një situatë në mes të serbëve, ka efektin e ngritjes së tensionit në vend.
“Këto janë hapje hesapesh në mes grupeve, pra të komunitetit serb në veriun e Mitrovicës, por normal që policia duhet të kryej punën e vet edhe në aspektin e parandalimit të këtyre veprave, por edhe zbulimit dhe ndërmarrjeve të masave rreth zënies dhe procedimit të tyre, në procedurën e prokurorit dhe gjykatësit. … Këto i menaxhon mirë policia, edhe vet rasti, reagimi dhe pra procedimi më tej në zbulim të rastit, pasi që ushtrojmë kontrollin e plotë edhe në aspektin e mbajtjes së qetësisë publike por edhe sigurisë personale. Normal këto janë momente në pamundësi parandalimi, këto janë si rrjedhojë e ndarjes së hesapeve të grupeve të caktuara të mëhershme kriminale që kanë akoma efekte, pra të ngritjes së tensioneve, realisht përdorimi i granatës përfundon me pasoja të lëndimeve të rënda, të një personi dhe plagosjen tjetër. Kjo tregon një situatë akoma që policia ka punë si në parandalim edhe në qasje të reagimit në kuptim të ndalimit të këtyre veprave”, tha Ibishi.
Po ashtu, Ibishi ka thënë se Serbia ka propozuar rikthimin e shërbimit ushtarak për shkak se asnjë qytetarë serbë nuk është i gatshëm të sakrifikohet më sikur në kohën e Millosheviqit. Ai theksoi se Serbia e ka bërë vlerësimin e situatës dhe për këtë arsyeje ka kërkuar trupa shtesë për ushtri.
“Serbia çdoherë e bënë vlerësimin e situatës me qëllim të ngritjes të kapaciteteve njerëzore, pasi që ato i mungojnë. Nga pjesa që kanë deri 30,000 forca të armatosura, aktive nuk i kanë as 20,000 mijë, mandej pjesën rezervë nuk e kanë ende, që 13 vite e kanë hequr nga sistemi çështjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Kanë blerë armatim gjithandej, kanë investuar dhe në pajisje dhe armatim luftarak edhe nga perëndimi dhe lindja dhe Rusia, Kina, Irani. Mungesa e faktorit njeri, tashmë ata kanë vërejtur ngase njerëzit me të gjitha këto kërcënime që i bëjnë ndaj Kosovës, askush nuk është i gatshëm, të sakrifikohet më, sikur në kohën e Millosheviqiçit… Ajo vet deklarohet që ka mungesë të konsiderueshme, gati 1/3 i mungon nga pjesa aktive e forcës së armatosura, këtë boshllëk mundohet të përmbush me shërbim të detyrueshëm ushtarak”, theksoi Ibishi.
Ndërkaq, sa i përket armatimeve të ushtrisë së Kosovës, Ibishi tha se Kosova është dashur të pajiset qysh moti me sistem raketor.
“Forca e Sigurisë së Kosovës pajiset çdoherë dhe ajo është në planin e zhvillimit lidhur me armatimin luftarak, ndër to është kjo një sistem i raketës (antiblin) që është treguar i suksesshëm në luftimet mes Rusisë dhe Ukrainës, nga ana Ukrainës dhe është treguar shumë efektive dhe mendoj që detyrimisht, është dashur të pajisemi më herët por kemi pasur një model të ngjashëm nga Turqia, me këtë pajisje t’i bëjmë me dije Serbisë që nëse mendon dhe një herë të ndërhyj në Kosovë, do të ballafaqohet me një sistem të kundërvënies, reagimit të shpejt. Edhe, shoferët sikur paralajmëron të autoblindave vështirë ka t’i integrojë në sistem ngase ata ia dinë frikën nga një sistem i tillë raketor (antiblin)”, shtoi Ibishi.
Ndërkaq, Ministria e Mbrojtjes së Kosovës ka bërë të ditur se përveç 246 raketave kundërtanke të tipit “Javelin”, ka bërë kërkesë për blerjen edhe të armëve të tjera nga SHBA-ja./kp