Ibrahimi: Kosova nuk ka nevojë edhe për një nivel të mesëm të pushtetit

(Lajm i përditësuar)
Ibrahimi për Asociacionin: Kosova nuk ka nevojë edhe për një nivel të mesëm të pushtetit
Lidhur me Asociacioni e Komunave Serbe, Sazan Ibrahimi tha se Kosova nuk ka nevojë edhe për një nivel të mesëm të pushtetit dhe se mendon se kjo po synohet nga pala tjetër.
“Kosova nuk ka nevojë për krijimin edhe të një niveli të mesëm qeverisës, e cila po mendojë që synohet nga një palë tjetër dhe po besojë që gjithçka do të jetë në frymën e verdiktit të cilin e ka dhënë gjykata kushtetuese”, tha Ibrahimi.
“Neve në të kaluarën kemi qenë të konsultuar nga organe të nivelit qendror sa i përket krijimit të këtij mekanizmi, i kemi dhënë rekomandimet dhe sugjerimet tona, në bazë të eksperiencës të cilën e kemi, po edhe përvojave ndërkombëtare që gjatë këtyre dekadave kemi marr si asociacion, shpresoj që rekomandimet tona edhe në të ardhmen do të merren parasysh”, tha tutje drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi në “21 Drejtpërdrejt”.

Reformat që po synojnë Komunat e Kosovës
Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi në emisionin “21 Drejtpërdrejt” të RTV21, ka folur për reformat që po synojnë Komunat e Kosovës. Ai tha se janë duke u hartuar hartat zonale, dhe po bëhen reforma të ndryshme sa i përket planifikimit urban.
“Komuna e Kosovës janë duke hartuar hartat zonale, gjithashtu janë duke bërë edhe reforma të ndryshme sa i përket planifikimit urban. Asociacioni i Komunave të Kosovës përmes kolegjiumeve profesionale të cilat i ka e në veçanti kolegjiumi për planifikim hapësinor. Gjithashtu, asociacioni është duke organizuar takime të ndryshme me komuna e Kosovës sa i përket leximit të mirëfilltë të hartave zonale si dhe dokumenteve që kanë të bëjnë me planet urbane”, tha Sazan Ibrahimi./21Media

Back to top button