Arifi i përgjigjet Vuçiqit mbi deklaratat për regjistrimin e shqiptarëve në Luginë

(Lajm i përditësuar)
Kryetari i Bujanocit, Nagip Arifi përmes emisionit “21 Drejtpërdrejtë” i është përgjigjur presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiqit rreth deklaratës se “pas regjistrimit të popullsisë, nuk do të dihet më numri i saktë i shqiptarëve në Serbi, sepse shumë familje në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë regjistrojnë anëtarë që nuk jetojnë në Serbi”.
Arifi këtë deklaratë e quajti shoviniste, teksa tha se përmes këtyre deklaratave që ta zvogëlojë numrin shqiptarëve në Luginë.
Unë mendojë që është një deklaratë shoviniste e presidentit Vuciq, atë që e thash më parë që politika e Vuciqit në Serbi është e njëjte sikur e Millosheviqit dhe në çdo mënyrë tenton edhe përmes këtyre deklaratave që ta zvogëlojë numrin shqiptarëve. Ne kemi vendosur që të marrim pjesë në regjistrim kemi ftuar popullatën dhe ftojmë edhe përmes televizionit RTV21 që t’i shfrytëzojnë të gjithë ata që nuk kanë pasur mundësi të regjistrohen edhe 4 ditë dhe t’i tregojmë edhe Serbisë edhe faktorëve ndërkombëtarë se sa shqiptarë jemi në Luginën e Preshevës”, tha Arifi.

Shqiptarët që jetojnë në Kosovë, por kanë lindur në Preshevë a kanë të drejtë të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë në Serbi
Duke folur për regjistrimin e popullsisë në Serbi, kryetari i Bujanocit, Nagip Arifi tha se të drejtë për regjistrim kanë të gjithë personat që janë me kartë të identitetit të Serbisë.
Të gjithë ata që kanë lindur në Luginë të Preshevës e të cilët kanë numrin personal numrin e caktuar këtu në Luginën e Preshevës, ose të gjithë ata që për shkak të martesës apo diçka që janë me kartë të identitetit të Serbisë kanë të drejtë të regjistrohen”, deklaroi Arifi.

Arifi: Deri tash në komunën e Bujanovcit janë regjistruar mbi 51 mijë qytetarë
Kryetari i Bujanocit, Nagip Arifi, tha se deri tani në komunën e Bujanovcit janë regjistruar mbi 51 mijë qytetarë.
“Deri më tash në komunën e Bujanovcit janë regjistruar 51 mijë e 500 qytetarë, ku nëse e marrim statistikën me vendbanime, diku Bujanovci tash për tash është mbi 63 për qind të komunitetit shqiptarë”, tha ai për 21 DrejtpërDrejt.

Arifi: Ndërkombëtarët janë vetëdijesuar, Serbia e njëjta si para 40 vjetëve
Kryetari i Bujanocit, Nagip Arifi, thotë se Serbia nuk ka ndryshuar politikat ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Sipas tij, Serbia është e njëjta siç ka qenë në kohën e Millosheviqit.
Tutje, Arifi theksoi se lufta në Ukrainë ka vetëdijesuar ndërkombëtarët se Serbia është ajo e cila ka qenë para 40 vjetëve.
Por vetëm qasjen e ka ndryshuar. Edhe kjo politikë e sodit që po e udhëheqë Vuçiq është politikë e njëjtë ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, vetëm se në mënyrë shumë perfide bëhet dhe ne të them të drejtën më shumë kemi probleme kur ballafaqohemi edhe me diplomatët e Beogradit sepse ata kanë filluar që ta ledhatojnë Serbinë, por mendoj se çështja dhe lufta e cila po zhvillohet në mes të Rusisë dhe Ukrainës i ka vetëdijesuar ndërkombëtarët se Serbia është ajo e cila ka qenë para 40 vjetëve”, tha Arifi.

Arifi: Escobar na premtoi se të drejtat që i kanë minoritetet në Kosovë do t’i kenë edhe shqiptarët e Luginës
Kryetari i Bujanocit, Nagip Arifi, në emisionin “21 DrejtpërDrejt” të RTV21, tha se Escobar i ka premtuar se të gjitha të drejtat që i kanë minoritetet në Kosovë do t’i kenë edhe shqiptarët e Luginës.
Escobar na ka premtuar që do të kemi një takim edhe me Lajçak, qoftë në Kosovë, qoftë në Serbi, por ne jemi gati të takohemi edhe në Bruksel nëse është e nevojshme. Escobar na ka premtuar se të gjitha ato të drejta të cilat do i fitojnë serbët në Republikën e Kosovës, po ato të drejta do t’i kenë edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës, sepse të drejtat e garantuara me konventa ndërkombëtare të pakicave nuk mund të jenë selektive”, tha Arifi.
Arifi tutje tha se kërkesat që ia kanë adresuar Escobarit ia kanë thënë edhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.
Ne këto kërkesa të cilat ia kemi adresuar Escobarit i kemi thënë edhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, poashtu para dy ditëve patëm një takim me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmanin, dhe këto kërkesa janë të adresuara edhe tek institucionet e Republikës së Kosovës, sepse pa zgjidhjen e problemit të Luginës së Preshevës ne mendojmë se nuk do të ketë stabilitet në Ballkanin Perendimor“, tha Arifi.

Arifi: I kërkuam Escobarit që çështja e Luginës të jetë në tryezën e bisedimeve
Kryetari i Bujanocit, Nagip Arifi, thotë se i kanë kërkuar të dërguarit special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, që çështja e Luginës së Preshevës të jetë në tryezën e bisedimeve në mes të delegacionit të Republikës së Kosovës dhe delegacionit të Republikës së Serbisë.
Në 21 DrejtpërDrejt të RTV21, Arifi tha se këtë kërkesë e kanë bërë edhe në kohën kur filloi dialogu.
Që nga dita e parë kur ka filluar biseda për normalizimin e raporteve në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, që nga viti 2013 e këndej, shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë kërkuar që dhe ata të jenë në delegacionin e Republikës së Kosovës ose çështja e problemeve të shqiptarëve të Luginës të jenë në tavolinat e diskutimeve”, tha ai.
Në vizitën e fundit që kemi bërë një delegacion në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, konkretisht në Departamentin e Shtetit, jemi pritur nga z. Escobar. Po ashtu kemi kërkuar që edhe çështja e Luginës së Preshevës të jetë në tryezën e bisedimeve në mes të delegacionit të Republikës së Kosovës dhe delegacionit të Republikës së Serbisë”, shtoi Arifi./21Media

Back to top button