Ibrahimi: MASHTI po fajëson komunat për shkak të neglizhencës së vet

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka thënë se mungesa e librave është për shkak se Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit nuk e ka dërguar sasinë që i kanë kërkuar.
“MASHTI ka informuar komunat që nuk do të ketë furnizim me tekste këtë vit për nivelin parashkollor, si dhe për klasat 6 deri 9. Për klasat 6 – 9 është kërkuar që tekstet të barten nga gjenerata në gjeneratë. Vetëm për klasën e 7 janë dy libra alternativë të rinj që do të sigurohen nga MASHTI. Dhe për klasën e 8 janë libra të gjithë të rinj që MASHTI do t’i siguroj.  Nga Komunat është kërkuar që të plotësojnë katalogun me kërkesa për furnizime me tekste shkollore brenda afatit prej 5 ditë. Komunat kanë plotësuar kërkesat në katalogjet e parapara të MASHT në afatin e paraparë kohor, dhe është raportuar numri i nxënësve në përputhshmëri me numrin e nxënësve të regjistruar në SMIA të MASHT. Kurse te furnizimi me tekste shkollore për klasat 6-9. Komunat kanë formuar komisionet e duhura për pranimin e teksteve shkollore të dorëzuara nga MASHTI. Këto komisione kanë kryer punën në mënyrë shumë të mirë, mirëpo librat mungojnë, sepse MASHTI nuk i ka dërguar sasinë e kërkuar të librave nëpër komuna. Të gjitha obligimet që burojnë nga legjislacioni në fuqi sa i përket shpërndarjes së teksteve shkollore e që bien në kompetencë të komunave janë kryer në plotni”, ka thënë Ibrahimi për rtv21.tv
Sipas tij, për përgjegjësit e veta MASHTI nuk mund të fajësoj komunat.
“Problemi qëndron në atë që librat e siguruar nga gjenerata paraprake ose janë të dëmtuar apo edhe nxënësit nuk i kanë kthyer në shkolla, që do të thotë mungon një numër i teksteve për klasat 6, 7, 9. Gjithashtu numri i nxënësve ndryshon nga viti në vit nëpër shkolla”, ka thënë ai.
Ndryshe, dje ministrja e MASHTI-t, Arbërie Nagavci, ka thënë se ka dërguar komisione që të bëjnë vizita nëpër shkolla dhe sipas informacioneve, ka pasur raste kur Drejtoritë Komunale të Arsimit nuk kanë qenë në nivelin e duhur të detyrës, duke mos planifikuar tekstet për nxënësit e të gjithave shkollave./21Media
 
 
 

Back to top button