Identifikohet një laborator për përpunimin e substancave narkotike, sekuestrohen 179 bimë kanabisi

 
Është identifikuar një laborator për përpunimin e substancave narkotike dhe janë sekuestruar 179 bimë të llojit kanabis, në një shtëpi në fshatin “Prugoc” të Komunës së Prishtinës.
Prokuroria Themelore në Prishtinë-Departamenti i Krimeve të Rënda, ka njoftuar se ka udhëhequr sot një aksion në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore, ashtu që me aprovim të gjykatës kompetente, nga bastisja e kryer në fshatin Prugoc të komunës së Prishtinës, në shtëpinë me qira të një të dyshuari është identifikuar një laborator i improvizuar për prodhimin e substancave narkotike dhe janë gjetur e sekuestruar 179 bimë narkotike të gjatësive të ndryshme të llojit kanabis.
I dyshuari aktualisht ndodhet në arrati.
“Në këtë çështje penale organet e rendit kanë identifikuar një të dyshuar, i cili aktualisht ndodhet në arrati, derisa prokuroria në koordinim me policinë janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për gjetjen e vendndodhjes së të dyshuarit dhe ndërmarrjes së veprimeve procedurale ndaj të njëjtit”, bëhet e ditur në njoftimin e Prokurorisë./21Media

Back to top button