Idrizi e Kastrati besojnë në fitore kundër Qipros

Kombëtarja e Kosovës e ka mbajtur stërvitjen e fundit në Kampin Nacional në Hajvali para udhëtimit për në Qipro, ku më 2 qershor do ta luajë ndeshjen e parë të edicionit të ri në Ligën e Kombeve. Duke pasur parasysh se në stërvitjen e djeshme u zhvillua edhe një ndeshje kontrolluese, përzgjedhësi Alain Giresse vendosi që seanca e sotme stërvitore të jetë më shumë rigjeneruese dhe relaksuese.
Pas stërvitjes Blendi Idrizi u shpreh optimist se ndeshjet e muajit qershor do t’i nisim me rezultat pozitiv.
“Presim gjithqysh fitore kundër Qipros. Kemi stërvitur shumë mirë deri tash. Dje ishte stërvitja mjaft e mirë dhe intensive, derisa sot më shumë ishte rigjenerim. Presim që në Qipro të bëjmë një lojë shumë të mirë. Është loja e parë dhe duhet të fitojmë sepse është shumë e rëndësishme për vazhdimësinë tonë në ndeshjet e tjera”, ka theksuar Idrizi.
Shumica e lojtarëve kanë pasur një sezon shumë të mirë me klubet e tyre dhe ky fakt sipas Idrizit pritet të ndikojë edhe në ekipin kombëtar. “Forma e mirë e lojtarëve në klubet e tyre është shumë e rëndësishme sepse atë kualitet ata e sjellin edhe në kombëtare”, ka shtuar Idrizi, i cili pret që në dy ndeshjet në shtëpi kundër Greqisë dhe Irlandës së Veriut të kenë mbështetjen maksimale të tifozëve “Dardanët”.
E shumë të rëndësishme ndeshjen e parë në Qipro e vlerëson edhe Lirim Kastrati.
“Pres rezultat pozitiv. Të gjithë jemi në formë të mirë, derisa kur je pjesë e ekipit kombëtar është një ndjenjë ndryshe. Besoj se do të japim maksimumin për t’i treguar vlerat e shtetit tonë”, ka thënë Kastrati.
Ekspedita e Kombëtares niset për në Larnaca, të mërkurën në mëngjes./21Media

Back to top button