IHMK: Lumenjtë në Kosovë aktualisht kanë rrjedha nën mesataret e tyre

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se aktualisht lumenjtë në Kosovë, kanë rrjedha nën mesataret e tyre.

Përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook nga ky Instituti thuhet se kjo vjen si pasojë e deficitit të reshjeve sidomos gjatë muajve të pranverës, si dhe mungesës së borës dhe qëndrueshmërisë së saj gjatë dimrit.

“Edhe pse ka pasur reshje, ato kanë qenë në formë të rrebesheve të shiut dhe lokale, të cilat shpejt janë larguar nga pellgjet”, thuhet në njoftim.

IHK bën të ditur se situatë e njëjtë është në shumicën e lumenjëve, por më e rënduar është në atë të Drinit të Bardhë.

“Në vazhdim po i ofrojmë disa të dhëna karakteristike për Lumin, Bistrica e Pejës. Siperfaqja e nën pellgut të lumit Bistrica e Pejës eshtë 500 km2. Ajo përbën 11.5% të sipërfaqes totale të pellgut të Drinit të Bardhë dhe 13.7% të rrjedhës së tij. 5 vite të fundit vërehet që lumi, sidomos gjatë muajve të pranverës kur zakonisht karakterizohet me prurje maksinale (shkrirja e borës dhe sasia e lartë e reshjeve), vrehet anomali e rrjedhjës së ulët të lumit dhe pa qëndrueshmëri të prurjeve gjatë verës. Prurjet mesatare të lumit, sipas të dhënave (1963 – 2009) ishin: Maj: 17.5 m3/s, Qershor: 7.5. Prurjet (Qershor) 2021: 6.7 m3/s, 2022: 2.1 m3/s, 2023: 10.7 m3/s, 2024: 2.2 m3/s, 2025: 2.5 m3/s. Mesatarja (qershor): 2021-2025 4.8 m3/s ose <2.7 m3/s (56.3%) nën mesatare”. Situatë afërsisht e njëjtë është edhe nëpër pellgjet e tjera të Kosovës e sidomos në atë të Drinit të Bardhë”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq si pasojë, thuhet se ka paraqitje të thatësirës së theksuar hidrologjike me prurje të ulëta, rënie të niveleve të ujërave nëntokësore nëpër akuifere, efekte gjatë muajve të verës, në furnizim me ujë, bujqësi, hidro energji etj.

Back to top button