IKD për seancën e jashtëzakonshme: Disa pika të rendit janë në kundërshtim me Kushtetutën

Instituti i Kosovës për Drejtësi  ka vlerësuar se seanca e ftuar nga deputetët e Vetëvendosjes sot në ora 11:00, ku është paraparë ndër të tjera shqyrtimi i parë i projektbuxhetit për vitin 2026 dhe çështja e financimit të RTK-së, është në kundërshtim me Kushtetutën.

Sipas IKD-së  legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës është duke shënuar nivelin më të lartë të parregullsive kushtetuese, devijimeve procedurale dhe parregullsive parlamentare në historinë e Kosovës.

“Legjislatura e 9-të e Kuvendit të Kosovës po shënon nivelin më të lartë të parregullsisë kushtetuese, devijimeve procedurale dhe parregullsive parlamentare në historinë e Republikës së Kosovës.  Sot para seancës për zgjedhjen e Qeverisë, është thirrur  një seancë tjetër e jashtëzakonshme me disa pika të rendit të ditës, të cilat janë proceduar në kundërshtim të plotë me Kushtetutën, praktikën parlamentare, Ligjin për Qeverinë, Ligjin për Marrëveshjet Ndërkombëtare, Ligjin për Nismat Legjislative dhe me Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, është thënë nga IKD-ja.

Më tej, IKD-ja ka thënë se përpjekja për të formuar komisionet parlamentare pa u formuar qeveria, cenon rëndë vlerat e demokracisë parlamentare dhe shkatërron rendin kushtetues dhe juridik të Kosovës. Ka thënë se komisionet formohen vetëm pasi të jetë votuar Qeveria nga Kuvendi i Kosovës.

“Përpjekja  për formimin e komisioneve parlamentare pa u formuar qeveria cenon rëndë vlerat e demokracisë parlamentare dhe shkatërron rendin kushtetues dhe juridik në Republikën e Kosovës. Kjo qasje e kryetarit aktual të Kuvendit bie ndesh me Rregulloren e Kuvendit, ligjet e aplikueshme në Kosovë dhe praktikën e deritanishme parlamentare. Sipas procedurës së detyrueshme, fillimisht Kryesia duhet të përcaktojë strukturën e komisioneve, të marrë propozimet nga grupet parlamentare, të hartojë dokumentin final dhe vetëm më pas ta dërgojë për miratim në seancë plenare. Procedimi aktual e ka anashkaluar këtë proces duke e kaluar këtë proces në mënyrë arbirtrare. Komisionet parlamentare formohen vetëm pasi të jetë votuar Qeveria nga vet Kuvendi i Kosovës, në mënyrë që të dihen balancat politike dhe ndarja qeveri-opozitë. Kjo vlen edhe për komisionet e veçanta. Dy komisionet më të rëndësishme mbikëqyrëse – Komisioni për Mbikëqyrjen e AKI-së dhe Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, sipas ligjit, Rregullores dhe praktikës parlamentare, i takojnë opozitës. Në këtë fazë të paqartë politike, nuk dihet ende se cilit subjekt i takon statusi opozitar, duke e bërë të pamundur formimin ligjor të këtyre komisioneve”.

Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë dy seanca. Njëra në ora 11:00, ndërsa seanca tjetër nga ora 14:00 do të jetë për votimin e qeverisë së propozuar nga mandatari Glauk Konjufca.

Katër  parti, PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe NISMA kanë bërë të ditur se nuk do të marrin pjesë në seancën e parë./21Media

 

Back to top button