IKSHPK: Kemi identifikuar baktere në ujin e Deçanit

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka konfirmuar se ka gjetur baktere në ujin që përdoret në fshatrat e Deçanit, të cilat mund të japin indikacion për kontaminimin e ujit të pijshëm.
“Në mostrat e ujit të marra me datën 12. 07. 2021 nga rajoni i Deçanit, pas kultivimit në terrene ushqyese përmes teknikës së identifikimit me MALDI-ToF në laboratorët e IKShPK Prishtinë, janë identifikuar disa bakterie që mund të japin indikacion për kontaminim të ujit të pijshëm. Ekzaminimet mikrobiologjike në mostrat e pranuara nga pacientët me shenja të infeksionit të traktit gastrointestinal janë duke vazhduar për detektim të patogjeneve të ndryshëm viral, bakteror dhe parazitar”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.
Tutje, Instituti ka bërë të ditur se ekipet e saja nga të gjitha rajonet e Kosovës po vazhdojnë punën në terren, duke punuar intensivisht në gjetjen e shkakut të shpërthimit epidemik.
“Situata epidemiologjike dhe sanitacioni janë në kontroll të vazhduar, nga ekipet kujdestare të Institutit Kombëtar dhe çdo ndryshim i situatës epidemiologjike do të rezultojë me rekomandime të reja”, thuhet në njoftim.
IKSHPK-ja ka dhënë disa rekomandime:
1. Të shtohet kontrolli i Inspeksionit sanitar dhe shëndetësore për ngritjen e nivelit të raportimit të rasteve dhe saktësinë e të dhënave për pacientët;
2. Të shtohet kontrolli i Inspeksionit sanitarë dhe mjedisorë në identifikimin e kyçjeve ilegale në rrjetin e ujësjellësit;
3. Në mungesë të ujit nga rrjeti i ujësjellësit të sigurohet uji higjienik për pije nga cisternat e kompanisë ujore komunale, deri në normalizimin e gjendjes në të gjitha fshatrat e komunës se Deçanit, pa marrë parasysh a kanë apo jo raste të dyshimta me simptoma gastrointestinale;
4. Furnizimi i banorëve me ujë të ambalazhuar për pije dhe për përgatitje te ushqimit;
5. Pas rikthimit të ujit në rrjetë rekomandohet që uji të përdoret vetëm për amvisëri dhe higjienë deri në rekomandimin e ri;
6. Kompania ujore publike të përforcojë kontrollin dhe rregullisht të dezinfektojë ujin dhe të shtojë inspektimin e resurseve ujore, kontrollin e kaptazhave dhe pusetave të ujit dhe në secilin rast individual të intervenohet menjëherë sipas nevojës;
7. Ujësjellësi të furnizojë qytetarët me ujë higjienik për pije me orar normal, për të pamundësuar kontaminimin dhe për parandalimin e epidemive hidrike;
8. Ekipet e ujësjellësit rajonal të debllokojn nyjat e kanalizimeve, të gjejnë pikat e dobëta në rrjet, ku përzihet uji i ujësjellësit me kanalizim dhe gropa septike;
9. Të ndalohet rreptësishtë kyçja e puseve (bunarëve) në rrjetin e ujësjellësit;
10. Të ofrohet ndihma e nevojshme për të gjithë pacientët e sëmurë./21Media

Back to top button