IKSHPK me apel për qytetarët: Duhet të vaksinoheni!
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) u ka bërë sot thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të vaksinohen, pas shtimit të numrit të rasteve të reja me sëmundjen e rrezikshme të koronavirusit, e cila për më shumë se një vit ka kapluar të gjithë globin tokësor.
Në 24 orët e fundit Kosova ka regjistruar 888 raste të reja me koronavirus, pas 6 mijë e 86 testimeve.
IKSHPK thotë se me vaksinim do ta kalojmë valën e re nga varianti Delta me sa më pak të sëmurë e sa më pak viktima dhe se asnjëra nga vaksinat që është në përdorim në Kosovë nuk përmban virus të gjallë që shkakton COVID-19.
“Kjo domethënë se nuk mund të sëmureni me COVID-19 nga vaksina.Kosova është i vetmi shtet në rajon që ka dhënë vetëm vaksina të miratuara nga Agjencia Evropiane dhe Amerikane e Barnave është Kosova. Këto vaksina janë AstraZeneca dhe Pfizer. Këto vaksina kanë sigurinë, cilësinë dhe efikasitetin, që e plotësojnë standardin evropian dhe atë amerikan. Disa po ngurrojnë për t’u vaksinuar sepse frikësohen nga efektet anësore të cilat deri tani në Kosovë kanë qenë minimale por dobia e mbrojtjes nga COVID-19 është shumë herë më e madhe”, shkruan IKSHPK.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?