IKSHPK me njoftim të rëndësishëm për gripin sezonal

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik vazhdimisht po bënë apel për vaksinim kundër COVID-19 dhe gripit sezonal.
Nga IKSHPK thuhet se personat të cilët marrin dozën përforcuese të vaksinës COVID-19 ose edhe dozën e parë ose të dytën, gjithashtu rekomandohet të marrin edhe vaksinën e gripit sezonal.
Sipas, IKSHPK-së Ministria e Shëndetësisë ka siguruar doza të gripit sezonal në sasi të mjaftueshme që situata epidemiologjike të jetë sa më e mirë. Bëhet e ditur se vaksinat e gripit sezonal synojnë tre ose katër lloje të viruseve të gripit që jenë në qarkullim për sezonin.

“Krahas vaksinimit të obliguar me Ligj për fëmijët e grup moshës së caktuar, vaksinimi sipas indikacioneve epidemiologjike dhe trafikut ndërkombëtar ka rëndësinë e vet në parandalimin e përhapjes së sëmundjeve të ndryshme jo vetëm brenda territorit të Kosovës, por edhe nga një shtet në tjetrin. Sa u përket praktikave të imunizimit dhe administrimit të vaksinave, ato janë cilësore dhe procedurat respektohen sipas standardeve ndërkombëtare. Vaksinat e gripit sezonal janë të sigurta, efektive dhe me kosto efektive. Efektet e padëshirueshme pasvaksinale janë të rralla dhe kryesisht minore”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.
Në sezonin vjeshtë-dimër është rritur numri i rasteve me grip sezonal në Kosovë. Arben Vishaj, drejtor i Klinikës Infektive, për portalin rtv21.tv ka treguar se ky grip manifestohet me temperaturë, kollë, dhimbje muskujsh, lodhje dhe dhimbje shpine.Vishaj ka rekomanduar që qytetarët t’i shmangin turmat, të përdorin maskat, sidomos në vendet e mbyllura, si dhe të mbajnë higjienën e duarve.
Vaksina e gripit në Kosovë ofrohet çdo vit para sezonës së gripit për grupet me risk të lartë. IKSHPK njofton se bazuar në analizën e raporteve të përfshirjes me vaksinim të viteve paraprake është bërë planifikimi për sigurimin e sasisë së vaksinave prej 140.000 dozave gjatë sezonës 2021/22 për tërë territorin e vendit. /21Media 
Back to top button