Importi i lartë dhe papunësia, sfidë për Kosovën

Kosova ka importuar 5.8 miliardë euro brenda një viti ndërkohë që ka shënuar një eksport prej rreth 900 milionë eurosh, thonë Doganat e Kosovës. Sipas Doganave importi i mallrave nga Serbia ka shënuar rënie, ndërkohë që është shtuar bashkëpunimi me Shqipërinë. Ministri i financave Hekuran Murati, ka vlerësuar se të hyrat doganore kanë ndihmuar vendin, në rritje ekonomike dhe sipas tij qeveria është duke punuar që ta përmirësojë deficitin e madh tregtar. Ndërkohë njohës të fushës thonë se importi shumë i lartë dhe papunësia mbeten sfidë kryesore për Kosovën
Viti 2023 vlerësohet si vit i suksesshëm për Doganën e Kosovës e cila tha se ka importuar mallra në vlerë prej 5.8 miliardë euro. Mallrat e importuara kryesisht erdhën nga vendet e rajonit por nga Kina e Gjermania. Për institucionet e Kosovës shqetësues mbetet fakti se vlera e eksportit ka arritur në më pak se një miliard euro.
Por, ministri i financave Hekuran Murati, e ka vlerësuar si pozitiv shifrën e prezantuar dhe ka premtuar zvogëlimin e deficitit tregtar
“Nëse para dy viteve raporti ka qenë 1 me 9, tash ka arritur në një me gjashtë pra është një sukses, dhe ne po punojmë që ta zvogëlojmë edhe më shumë këtë deficit, në këtë çështje po na ndihmojnë edhe bizneset e vogla dhe të mesme të cilat kanë filluar që të eksprotojnë”, tha Murati.
Doganat e Kosovës ndërkohë thonë se kanë arritur një numër suksesesh. Drejtori i Doganave Agron Llugaliu, përveç parandalimit të kontabandës në veriun e vendit numëroi si sukses edhe arrestimin e 9 doganierëve të dyshuar për korrupsion.
“Në luftimin dhe parandalimin e korrupsionit i kemi arrestuar 9 doganierë ndërsa kemi ndaluar mallra të kontrabanduara në veriun e Mitrovicës në vlerë prej 1.1 milionë”, tha Llugaliu për RTV21.
Ndonëse ministri Hekuran Murati, thotë se të hyrat doganore kanë ndihmuar në zhvillim të hovshëm ekonomik ndryshe mendojnë njohës të cështjeve të ekonomisë. Ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti thotë se sfida kryesore në Kosovë mbeten papunësia dhe deficiti tregar, Mehmeti thotë se për t’i luftuar këto dyja Kosova duhet të ketë rritje ekonomike të paktën mbi 6%.
Për dallim nga viti 2022, në vitin 2023 Kosova ka importuar më pak mallra nga Serbia duke e rritur partneritetin me Shqipërinë si në import ashtu edhe në eksport./21Media