Osmani: Kryeministrit nuk i janë dukur bindëse argumentet e mija

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se kryeministri Kurti nuk e kishte dëgjuar atë kur i kishte kërkuar që Qeveria duhet ta hartojë një draft-statut të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Sipas saj, propozimi i draftit që është bërë nga BE-ja, ka përmbajtje që nuk shkon në favor për Kosovën.

Presidentja, Vjosa Osmani, në emisionin Click të RTV21 ka dhënë detaje për raportet e saj me kryeministrin, Albin Kurti, dhe se si ky i fundit nuk i mori parasysh sugjerimet e saj që Qeveria e Kosovës së bashku me SHBA-të ta hartojë draft-statutin e Asociacionit. E para e shtetit tha se e kishte nuhatur më herët se BE-ja do ta sjellë draftin e saj.

“Duke nuhatur se mund të na vij një draft nga BE që mund të mos përshtatet për ne kam insistuar që të ulemi ne që ta bëjmë një draft. Ndoshta kryeministrit nuk i janë dukur bindëse argumentet e mia”, ka thënë Osmani.

Para se BE-ja ta dorëzojë draftin e saj në tetor të këtij viti, faktori ndërkombëtar sidomos SHBA-ja kishte kërkuar me insistim që Qeveria e Kosovës ta hartojë draft-statutin e saj, por kjo kishte hasur në vesh të shurdhër të kryeministrit Kurti.

Ish-ambasadorja, Alma Lama, vlerëson se për shkak të mos dëgjueshmërisë së Kurtit, Kosova do t’i vuaj pasojat e një drafti-statuti të Asociacioni i cili i jep kompetenca ekzekutive komunave me shumicë serbe.

“Nuk ka qenë e pritshme që Kurti ta dëgjojë presidenten apo dikë tjetër, Kokëfortësia e tij arrin deri atje sa të mos dëgjojë as SHBA-të. Nuk më vjen qudi që ska dëgjuar këshillat e presidentes”, ka thënë ajo për RTV21.

Mospërputhjet e qëndrimeve në politikën e jashtme midis presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti ishte e pritshme sipas analistit politik, Artan Muhaxhiri. Sipas tij, për asociacionin do të duhet të kishte koordinim maksimal midis përfaqësuesve politikë.

“Prej krijimit të institucioneve ka qenë e ditur se hapësira kryesore ku mund të ketë ballafaqim midis presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti do të jetë politika e jashtme sepse presidentja dhe kryeministri kanë një formësim të ndryshëm ideologjik në raport me ndërkombëtarët”, ka thënë Muhaxhiri.

Por, çfarë pasoja tjera do të shkaktonte moskoordinimi i krerëve të shtetit në politikën e jashtme.

“Pasoja e parë është draft-statut i cili nuk është dizajnuar sipas marrëveshjeve të mëparshme, por ka shkuar shumë më përtej”, ka thënë Lama.

Ndërsa, Muhaxhiri ka theksuar se është një lojë negative e naive që e dëmton imazhin e Kosovës.

Pavarësisht se BE-ja ka propozuar draft-statutin për themelimin e asociacionit, kryeministri Albin Kurti ka hezituar ta zbatojë atë. Së fundmi ka dhënë sinjal se ai mund ta hartoj draftin e vet./21Media

Back to top button