Imzot Dodë Gjergji: Uroj besimtarët dhe shqiptarët e dikurshëm të krishterë
Ipeshkvi i Dioqezës Prizren-Prishtinë, Dodë Gjergji duke komentuar situatën e tensionuar në veri të Mitrovicës, ka deklaruar secili njeri duhet të ruhet nga gjuha e urrejtjes, përdorimi i mjeteve që e pengojnë lirinë dhe paqen e mbi të gjitha duhet të përmbahemi nga veprimet e pamatura që nuk qojnë drejt pajtimit por drejt konfliktit.
Gjergji i bëri këto komente gjatë meshës solemne të Krishtlindjes, e cila është mbajtur në Katedralen “Shën Nënë Tereza”, në Prishtinë.
Ai u ndal edhe te përfaqësuesit e BE-së, të cilët janë të përfshirë në lehtësimin e dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë që nuk bën të presin që pajtimi të vije vetvetiu por të angazhohen më seriozisht dhe të punojnë më me përkushtim në mënyrë që të mos lejohet që një konflikt i ri në rajon përpara se të arrijnë paqen dhe pajtimin në mes popujve.
“Fatkeqësisht ky realitet i hidhur ka marrë përmasa të frikshme edhe në ditët tona, edhe në vendin tonë sepse kur paqja kërkohet nga frika dhe luftëra shuhet për shkak të domosdoshmërisë ose për gjërat e frikës, atëherë sigurisht që njerëzimi nuk mund ta gjejë paqen e vërtetë, pasi paqja e botës perceptohet si unitet i interesi, marrëveshja për të kënaqur të fortit ose armëpushimi në mes armiqve që të mund t’i shijojnë sadopak frytet e paqes. Në anën tjetër siç e theksova të gjithë jemi dëshmitarë se çka po ndodhë në vendin tonë. Mungesa e luftës dhe paqja e detyrueshme nuk kanë krijuar kushte për pajtim, vetëm sa ka akumuluar urrejtjen, mosbesimin dhe mosdurimin ndaj njëri-tjetrit që të shpërthejë më vonë. Kurse, të përfshirit në lehtësimin e dialogut nuk bën të presin që pajtimi të vije vetvetiu por të angazhohen më seriozisht, të punojnë më me përkushtim dhe të jenë më të drejt në gjykimet dhe provokimet, ashtu që të mos lejohet që një konflikt i ri të vije në rajon përpara se të arrijnë paqen dhe pajtimin në mes popujve“, tha Dodë Gjergji.
Ipeshkvi u ndal edhe te lufta në Ukrainë, e cila po merr jetë personave të pafajshëm, duke theksuar se i gjithë njerëzimi duhet të punojë për paqen.
“Nëpër Krishtin të gjithë ne kemi marrë dhuratën e paqes dhe kemi arritur të kemi këtë paqe në brendinë e shpirtit tonë, pastaj jemi mësuar prej tij se si ta ushtrojmë këtë paqe në jetën e përditshme dhe si të bëhemi punëtorë të vyer të paqes për njëri tjetrin për botën dhe për vendin. Si pajtues gjejmë lumturinë e jetë dhe fitojmë miqësi në ty siç e shpallë kisha në vazhdimësi, lindja e Jezu Krishtit është festë e paqes dhe dashurisë, është festë e gëzimit dhe e haresë, festë e shpresës dhe lumturisë dhe është festë e shpirtit dhe shpëtimit tonë… E gjithë shoqëria jonë është në kërkim të lumturisë, të shpresës dhe të paqes sepse nuk ka njeri në këtë botë i cili nuk dëshiron të jetojë në paqe edhe pse nga një herë mendja e nxehtë e qon drejt urrejtjes ose konflikti”, ka thënë ai.
Para meshës në këtë katedrale është mbajtur koncerti i Krishtlindjes. Kurse, për këtë festë pasdite, ipeshkvi i Dioqezës Prizren-Prishtinë, Dodë Gjergji organizoi edhe pritjen solemne.