Inaugurohet në Prishtinë busti i heroit kombëtar Hasan Prishtina

Prishtinës iu ka shtuar edhe një bust i heroit kombëtar Hasan Prishtina, figura e të cilit u vlerësua lartë që nga pasardhësit e familjes së Gjergj Kastriot, asaj të Ismail Qemailit, historianë dhe personalitete të tjera.

Hasan Prishtina i shkrirë në bronz, u vendos në rrugën “Hasan Prishtina”, si iniciativë e Fondacioni “Hasan Prishtina”.

Pasardhësi i Hasan Prishtinës, njëherësh drejtor i Fondacionit “Hasan Prishtina”, Memhet Prishtina tha se pas inaugurimit të bustit të Hasan Prishtinës në Dibër po inaugurojnë bustin e kalosit kombëtar.

“Po inaugurojmë këtë bust në Prishtinë dhe për të mbyll këtë vit jubilar me inaugurimin e bustit Hasan Prishtina në Kukës, jo rastësisht aty ku prehen eshtrat e Hasan Prishtinës me të cilët u riatdhesua në vitin 1977 nga Selaniku në Kukës. Po ashtu, në këtë vit jubilar ka ndihmuar, fondacioni ka ndihmuar botimin e librave për fëmijë “Më quajnë Hasan Prishtina”, e unë mendojë që është një ndër monumentet më të theksuara sepse qysh në rini fëmijët duhet të edukohen për vlerat kombëtare dhe atdhedashurinë…sot më shumë se kurrë kemi nevojë që çdo liderë të marrë mësim nga jeta dhe aktiviteti i Hasan Prishtinës, andaj shfrytëzojë rastin se kurrë që të qojnë përpara kauzën të cilën e nisën rilindasit tanë sepse kështu do ta kemi atdheun më të fort dhe më të bashkuar se kurrë”, tha ai.

Profesori i historisë, Bujar Dugolli foli për jetën dhe veprën e heroit, duke thënë se hartografia shqiptare dhe jo vetëm, Hasan Prishtinën e njeh si patriot dhe demokratë të shquar që luftoi për lirinë dhe pavarësinë e atdheut, demokratizimin e jetës së vendit, çlirimin e Kosovës nga shteti serb dhe bashkimin e saj me shtetin shqiptarë.

“Katër herë armiqtë i organizuan atentate, dy herë e burgosën pushtuesit serbë dhe bullgarë, shtatë herë u dënua me vdekje nga turqit, nga qeveria e Serbisë, nga vegla e Serbisë, Esad Toptani dhe regjimi i Ahmet Zogut. Në vitin 1933 është vrarë me atentat në Selanik. Hasan Prishtina ka lënë një varg kujtimesh dhe shkrimesh që janë pasuri e pakontestueshme në hartografinë e popullit shqiptar“, tha ai.

Pasardhësi i Gjergj Kastriotit, Loris Kastrioti- Skenderbeu2, tha se duhet të shkojmë atje ku vlerat, idealet e këtyre heronjve na e kanë treguar rrugën.

“Përkujtimi i heronjve është gjithmonë një moment i rëndësishëm i jetës së një kombi, sepse ndihmon për të kujtuar se nga vijmë dhe na ndihmon për të kuptuar se ku duam të shkojmë. Dhe ne duhet të shkojmë atje ku vlerat, idealet e këtyre heronjve na e kanë treguar rrugën. Pra, kjo është e rëndësishme, monumenti është i rëndësishëm, sepse kush nuk njeh historinë ftohet të studiojë historinë dhe prania e atyre që vijnë nga familjet që kanë shkruar historinë e kombit, historinë e Shqipërisë, është një moment i rëndësishëm uniteti, bashkimi që duhet të bëjë sërish të dakordësuara Shqipërinë dhe Kosovën, them entitet unik, subjekt politik, shpresoj në të ardhmen. Ndaj, është mirë që jeni sot këtu për të kremtuar këtë moment, dhe për të përkujtuar të gjithë heronjtë që humbën jetën për ta bërë Shqipërinë të jetojë si një komb i madh. Pra, Urime për ditën e flamurit”, tha ai.

Në këtë ceremoni të pranishmit i përshëndeti edhe nipi i Ismail Qemailit,Qemajl Vlora tha se do të jenë çdoherë bashkë për të mirën e kombit.

“Ashtu siç kanë qenë bashkë të parët tonë, dhe ne vazhdojmë do të jemi bashkë për të mirën e kombit, për të mirën e shqiptarëve kudo që janë”, tha Vlora.

Këtë ceremoni nga Shqipëria e ka përshëndetur edhe presidenti shqiptar, Bajram Begaj.

Back to top button