Inspektoriati Policor arreston katër zyrtarët e dyshuar për përfshirje në incidentin në veri

(Lajm i përditësuar)

Inspektoriati Policor arreston katër zyrtarët e dyshuar për përfshirje në incidentin në veri

Inspektoriati Policor ka arrestuar katër zyrtarë policorë si të dyshuar për përfshirje në incidentin e fundit në veri, përkatësisht në komunën e Zveçanit.

Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës thonë se janë njoftuar nga Policia e Kosovës sot (e martë) në orët e hershme të mëngjesit lidhur me rastin e ndodhur në orët e vona të së hënës në veri të vendit ku në rrugën magjistrale Mitrovicë – Leposaviq ishte raportuar për plagosjen e një personi nga arma e zjarrit.

IPK thotë se ishte njoftuar për këtë rast pasi që policia pas ekzaminimit të dëshmive të siguruara, kishte dyshime për përfshirje të mundshme të një zyrtari policor në gjuajtje me armë zjarri.

Inspektorati tregon edhe për veprat mbi të cilat dyshohen katër zyrtarët policorë.

“Pas ndërmarrjes së disa veprimeve hetimore në koordinim me prokurorinë hetuesit e IPK-së kanë arrestuar sot në orët e mbrëmjes katër zyrtarë policorë me dyshimin se kanë kryer veprën penale ‘mos lajmërim i veprës penale’ dhe njëri nga ta është i dyshuar për veprën penale ‘vrasje – në tentativë’”, thuhet në komunikatën e IPK-së.

Me vendim të prokurorit të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

IPK thotë se hetuesit e tij janë duke ndërmarrë edhe veprime tjera hetimore për të zbardhur të gjitha rrethanat e këtij rasti në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit.

“Veprime të tjera do të ndërmerren në përputhje me autorizimet ligjore të IPK-së dhe në koordinim me prokurorinë kompetente”, përfundon komunikata.

Plagosja në veri, suspendohen 4 policë-njëri dyshohet se gjuajti me armë

Policia e Kosovës ka njoftuar se pas hetimeve është arritur të sigurohen dëshmi të cilat tregojnë dyshimet për përfshirje të mundshme të një zyrtari policor në gjuajtje me armë zjarri në veri të vendit ku mbeti i plagosur një person të hënën.

Policia tutje ka njoftuar se bazuar në informacionet dhe dëshmitë e siguruara janë marrë masa të suspendimit ndaj zyrtarit policor, pasi i njëjti nuk kishte raportuar lidhur me rastin dhe për përfshirjen e tij në rast, nga ku PK-ja kishte lëshuar njoftim se nuk ka qenë e përfshirë në shkëmbim apo gjuajtje me armë zjarri.

Po ashtu janë marrë masa të suspendimit edhe ndaj tre zyrtarëve të tjerë të mundshëm të përfshirë në rast.

“Andaj me qëllim që të vazhdojmë të mbajmë të informuar opinionin mbi veprimet policore dhe të gjeturat nga hetimet zyrtare, dyshohet se një zyrtar policor është përfshirë në këtë rast dhe se për këtë Policia e Kosovës sipas procedurave të parapara ligjore menjëherë ka njoftuar Inspektoratin Policor të Kosovës dhe Prokurorinë kompetent për procedura të mëtejme penale”, thuhet në njoftim./21Media

Back to top button