Institucionet në gjendje gatishmërie pas rrezikut për vërshime

(Lajm i përditësuar)

Pas rrezikut për vërshime, Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka thënë se janë gjendje gatishmërie
Kjo Agjenci ka udhëzuar për ngritje të gatishmërisë në nivel vendi për të gjitha institucionet e reagimit emergjent.
“Bazuar në paralajmërimin nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës për vërshime në ditët në vijim, dhe me qëllim të gatishmërisë së institucioneve dhe Strukturave për Mbrojtje Shpëtim dhe Ndihmë (SMSHN), Agjencia e Menaxhimit Emergjent udhëzon për ngritje të gatishmërisë në nivel vendi, për Qendrat Operative Emergjente 112, Njësitë Profesionale të Zjarrfikëse dhe Shpëtimit-NJPZSH si dhe Strukturat për Mbrojtje Shpëtim dhe Ndihmë –SMSHNJ, Drejtoritë komunale për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe kapacitetet e subjekteve relevante në nivel lokal dhe qendror”, thuhet në reagimin e Agjencisë.
​Parashikimi i motit për sot, këto komuna rrezikohen nga vërshimet
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës parashikon mot me vranësira të dendura dhe mjaft dinamike, i shoqëruar me reshje shiu të intensitetit mesatar deri të lartë.
IHK paralajmëron se në Dukagjin (Gjakovë, Junik, Deçan, Pejë, Istog, Prizren, Klinë, Zubin Potok etj), mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve, fillimisht atyre të vegjël me karakter të rrëkeve të cilët zbresin prej viseve më të larta malore, duke pasur potencial për shembje apo rrëshqitje të dheut.
Në zonat urbane, në këto komuna, mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së sistemeve drenuese, mirëmbajtjes dhe pastrimit të shtretërve të lumenjve dhe kanalizimeve.
Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 3-6 gradë celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 12-15 gradë celsius./21Media 

Back to top button