Intervistohen pesë kandidatët për Kryeprokuror të Shtetit

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka organizuar procesin e intervistimit të kandidatëve për Kryeprokurorë të Shtetit.
Paneli vlerësues në përbërje: Jetish Maloku, kryesues i KPK-së dhe i këtij paneli, si dhe anëtarët e KPK-së, po ashtu anëtarë të këtij paneli, prokurorët Arjana Shajkovci, Bedrije Syla-Alshiqi, Armend Zenelaj dhe Jovo Radoviq, sot kanë intervistuar pesë kandidatët që kanë aplikuar dhe janë konfirmuar për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Sipas KPK-së, secili nga kandidatët ka pasur në dispozicion 45-60 minuta kohë për t’u përgjigjur në pyetjet e pesë anëtarëve të komisionit.
Procesi i intervistimit është monitoruar nga përfaqësues të shoqërisë civile dhe partnerët ndërkombëtarë, ndërsa të gjitha intervistat janë xhiruar nga Radiotelevizioni i Kosovës dhe nesër e shtunë, 19 mars 2022, të njëjtat do të transmetohen.
Pas përfundimit të intervistës, secili nga anëtarët e Panelit vlerësues ka bërë në mënyrë të pavarur poentimin e kandidatëve, ndërsa pas kalkulimit të të gjithë poenëve, në prani edhe të monitoruesve të këtij procesi, kandidatët janë renditur si në vijim:
1. Blerim Isufaj;
2. Shqipdon Fazliu;
3. Kujtim Munishi;
4. Armend Hamiti;
5. Lulzim Sulejmani.
Në pajtim me Rregulloren nr. 06/2019 për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe kryeprokurorëve të prokurorive të Republikës së Kosovës, paneli vlerësues, brenda pesë ditëve nga dita e përfundimit të procesit të vlerësimit do t’i njoftojë kandidatët me poentimin përfundimtar dhe poentimin individual të anonimizuar nga secili anëtar i Panelit vlerësues, bashkë me arsyetimin për secilën kategori poentuese.​/21Media

Back to top button