IPK arrestoi pesë persona, njëri prej tyre polic

(Lajm i përditësuar)


Inspektorati Policor i Kosovës ka arrestuar pesë persona, në mesin e tyre një zyrtar policor, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, armëmbajtje pa leje dhe bixhoz të kundërligjshëm.

Në orët e hershme të mëngjesit, IPK, i mbështetur nga njësi të reagimit të shpejtë të policisë ka zbatuar një urdhëresë të Gjykatës Themelore në Prishtinë për kontroll dhe sekuestrim të dëshmive që do të gjenden gjatë kontrollit.

Operacioni zhvillua në pesë lokacione të ndryshme ndaj të dyshuarve për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe organizim të skemave piramidale dhe bixhoz të kundërligjshëm.

“Gjatë kontrolleve të lokacioneve të ndryshme hetuesit e IPK-së kanë sekuestruar gjësende të ndryshme përfshirë disa telefona mobil, dy USB, para të gatshme, dy pistoleta etj. Të ndaluar si pjesë e këtij operacioni janë pesë persona të dyshuar, një zyrtar policor dhe katër qytetarë”, ka njoftuar IPK.

Veprat penale për të cilat dyshohen të dyshuarit janë: “Keqpërdorim i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, “Armëmbajtje pa leje”, “Dhënie ndihme kryesit të veprës penale pas kryerjes së veprës penale” dhe “Organizim të skemave piramidale dhe bixhoz të kundërligjshëm”.


Aksion i gjerë i IPK-së, në mesin e të dyshuarve edhe policë

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) është duke e zhvilluar një aksion policor në 5 lokacione të ndryshme.

Kryeshefit Ekzekutiv i Inspektoratit Policor, Kushtrim Hodaj për portalin rtv21.tv nuk ka konfirmuar për të arrestuar por që në mesin e të dyshuarve ka edhe policë.

“Akoma është në zhvillim operacioni, ka polic të dyshuar, për arrestimet do ju njoftojmë ndërkohë”, ka thënë Hodaj.


IPK-ja me mëgjes në aksion

Sot që nga orët e hershme të mëngjesit, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), është duke u zhvilluar një operacion në disa lokacione.

“Operacioni po zhvillohet në pesë (5) lokacione të ndryshme ndaj disa të dyshuarve për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe organizim të skemave piramidale dhe bixhoz të kundërligjshëm. IPK do ju informoj gjatë ditës për ecurinë e operacionit dhe veprimet e ndërmarra në konsultim me prokurorin e rastit në zbatim të urdhëresës së gjykatës”, thuhet në njoftimin e IPK-së./21Media

Back to top button